Avokatja e 21-vjeçares që ka denoncuar mjekun Nikolla Nunka për ngacmim seksual, Refxhei Tola, deklaroi se ndaj tij ekzistojnë edhe kallëzime të tjera që përfshijnë një periudhë të gjatë kohore, sipas saj deri rreth 33 vite më parë, ndërsa denoncimi më i fundit është bërë rreth një viti më parë. Ajo e përshkroi situatën si një rast të përsëritur abuzimi dhe tha se janë marrë raste të tjera të ngjashme, që po trajtohen nga studioja e tyre ligjore para se të dërgohen në strukturat përkatëse të drejtësisë.
Tola njoftoi se një ekip prej tre avokatësh po asiston viktimën e re dhe se janë duke mbledhur prova për t’i dorëzuar prokurorisë dhe policisë. Megjithatë, deri tani nuk u është bërë disponueshme dosja hetimore, pavarësisht kërkesave zyrtare dhe autorizimit të marrë për të qenë avokatët mbrojtës të vajzës; ajo tha se nuk kanë pranuar informacionin e nevojshëm nga prokuroria dhe po dërgojnë kërkesa zyrtare me shkrim dhe email, në pritje të dokumentacionit përpara caktimit të masës së sigurisë për mjekun, seancë për të cilën pritet zhvillimi nesër.
Avokatja theksoi se mjeku, sipas denoncimeve, ka pasur pothuajse të njëjtën praktikë pune me vajzat që i janë drejtuar, duke shfrytëzuar pozicionin dhe kontaktet në strukturën spitalore ku ka punuar. Ajo kritikoi mungesën e hetimit administrativ nga ana e institucionit shëndetësor, pavarësisht indicieve që, sipas saj, kanë qenë të mjaftueshme për të mos lejuar që mjeku të qëndrojë në punë dhe të ketë mundësi të shfrytëzojë persona në gjendje vulnerabël.
Tola u bëri thirrje grave e vajzave që të denoncojnë, duke garantuar anonimat të plotë dhe duke theksuar se drejtësia duhet të reagojë nëpërmjet këtij rasti për të parandaluar vazhdimin e abuzimeve. Për pyetjen nëse ka raste që lidhen me mjekë të tjerë, ajo u përgjigj se për këto elementë nuk mund të flas pasi janë pjesë e hetimit. Avokatja përsëriti se qëllimi i tyre është të faktojnë se bëhet fjalë për një fenomen të përsëritur, jo për një incident të izoluar.

