Edhe Shqipëria duket se po përgatitet t’i hapë rrugën mishit të prodhuar në laborator. Në një vend ku siguria ushqimore mbetet prej vitesh një nga plagët më të mëdha për konsumatorët, ku nuk kanë munguar skandalet me produkte të skaduara, mallra pa origjinë të qartë, etiketime të dyshimta dhe kontrolle shpesh të kontestuara, projektligji i ri “Për ushqimin” ngre një tjetër debat të fortë publik.
Për shumë qytetarë, problemi nuk është zhvillimi i teknologjisë në vetvete, por fakti se shteti shqiptar ende nuk ka arritur të garantojë standarde të plota sigurie për produktet tradicionale që gjenden çdo ditë në treg. Në këto rrethana, ideja e lejimit të mishit të kultivuar në laborator shihet me skepticizëm dhe mosbesim. Kritikat lidhen me faktin se autoritetet po hapin derën për produkte që vazhdojnë të jenë objekt debatesh ndërkombëtare, ndërkohë që sfidat bazë të sigurisë ushqimore në vend mbeten ende të pazgjidhura.
Projektligji krijon mekanizmat ligjorë që në të ardhmen të mundësohet si importi ashtu edhe prodhimi në Shqipëri i mishit të kultivuar nga qelizat shtazore. Ndërsa qeveria e paraqet këtë si një hap drejt përafrimit me standardet evropiane dhe teknologjitë e reja ushqimore, kundërshtarët e shohin nismën si një eksperiment të panevojshëm mbi konsumatorin shqiptar. Sipas tyre, prioritet duhet të ishte garantimi i cilësisë së ushqimeve ekzistuese, mbrojtja e prodhimit vendas dhe forcimi i mekanizmave të kontrollit, e jo hapja e tregut për produkte që ende ngjallin debate dhe paqartësi në opinionin publik.
Në thelb, ky projektligj rrezikon të perceptohet nga qytetarët si një tjetër shkëputje mes prioriteteve reale të shoqërisë dhe axhendës së institucioneve. Në vend që të japë përgjigje për problemet e vjetra të sigurisë ushqimore, ai hap diskutime të reja për mishin e laboratorit, një teknologji që për shumë shqiptarë mbetet e largët, e panjohur dhe e vështirë për t’u pranuar në tryezën e përditshme.

