Projektligji për strehimin social, me qëllim mbështetjen e rreth 7 mijë familjeve përmes sigurimit të banesave me kredi me interesa të ulëta, mori miratimin në Komisionin për Burimet Natyrore. Deputetët e mazhorancës propozuan zgjerimin e kategorive të përfituese për të përfshirë edhe familjet e prekura nga fatkeqësitë natyrore; Taulant Balla deklaroi: “Do të kisha dashur që kolegë të opozitës të ishin prezentë dhe ta votonin këtë ligj. Unë vij me një propozim për familjet që u prekën nga tërmeti dhe ne që nuk i kemi përmbyllur dhe, në këtë këndvështrim, ky propozim i jep një mundësi që fondet që bashkitë nuk i kanë përdorur t’i viheshin në dispozicion këtij procesi.”
Ndryshimet e propozuara vijnë si ndërhyrje në skemën ekzistuese të strehimit, për të cilën vetë përfaqësues të mazhorancës pranojnë se nuk ka dhënë efektet e pritshme. Gjatë seancës një pjesë e deputetëve të opozitës bojkotuan mbledhjen, ndërsa të tjerë morën pjesë dhe lidhën diskutimin për strehimin me vështirësitë ekonomike të qytetarëve, veçanërisht të të rinjve, për të përballuar kostot e jetesës.
Pirro Vengu i Partisë Socialiste vuri në dukje përplasjen e projektligjit me situatën në tregun e banesave: “Ky projektligj vjen si një paradoks i madh në tregun tonë. Në vendet e tjera ka mungesë fondi imobiliar, por tek ne çmimet janë të larta si për qira, ashtu edhe për blerje. Ne praktikisht i japim përgjigje të fortë: shteti bëhet aktor në ndërtimin e fondit të banesave. Masa e përdorur ndër vite, ku ndërtuesit paguanin 3%, nuk ka qenë e suksesshme. Kemi konstatuar ndër vite problematika.” Një tjetër deputet tha: “Për faktin që kjo çështje lidhet me protestuesit, studentët, për të sjellë zërin e tyre që thonë se është bërë e pamundur të jetosh në Shqipëri, nuk bojkotova dhe u bashkova.”
Redi Muçi i Lëvizjes Bashkë komentoi raportin mes rritjes së pagave dhe çmimeve të apartamenteve: “Që prej ardhjes suaj në pushtet, kemi parë raportin e rritjes së pagave me çmimet e apartamenteve: është 1 me 3. Nëse pagat janë rritur 1 herë, apartamentet 3 herë. Ndërtimi në flluskë ekonomike që shumë shpejt do të pëlcasë dhe furnizohet nga informaliteti.”
Pas shqyrtimit në Komisionin për Burimet Natyrore, projektligji pritet të procedojë në komisionet e tjera parlamentare përpara votimit përfundimtar në seancë plenare.
