Qeveria miratoi aktin normativ për rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2026, duke parashikuar fonde shtesë për pensionet, shëndetësinë, mbrojtjen, si dhe mbështetjen e bujqësisë dhe biznesit. Sipas njoftimit zyrtar, ndryshimet vijnë si rezultat i ecurisë pozitive të ekonomisë për pesëmujorin e parë dhe synojnë forcimin e shtresave në nevojë, zgjerimin e investimeve në shëndetësi dhe rritjen e garancisë sovrane për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Për indeksimin e pensioneve është parashikuar një fond shtesë prej 872 milionë lekësh; plani qeveritar është që indeksimi të afrohet në muajin prill të vitit të ardhshëm. Në kuadër të masave sociale dyfishohet pagesa për fëmijët me aftësi të kufizuara me një financim shtesë prej 750 milionë lekësh, nga e cila do të përfitojnë 10,720 fëmijë; kjo masë do të hyjë në fuqi më 1 korrik 2026. Për kujdestarët e këtyre fëmijëve shteti do të mbulojë pagesën e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore, me një efekt financiar të vlerësuar në 2 miliardë lekë.
Sektori i shëndetësisë do të marrë fonde shtesë: 1.5 miliardë lekë janë alokuar për barnat onkologjikë. Me aktin normativ synohet gjithashtu rritja e pagave të personelit në urgjencën mjekësore dhe alokimi i fondeve për orët shtesë të zjarrfikësve, ku do të përfitojnë 1,250 punonjës.
Në sektorin e mbrojtjes parashikohet një shtesë prej 10.3 miliardë lekësh për të përmbushur angazhimet ndaj NATO-s dhe për të siguruar që financimi të arrijë në 2.6% të PBB-së. Rritet edhe shuma e garancisë sovrane nga 3 miliardë lekë në 5 miliardë lekë, ndërkohë që shtrihet fusha e mbulimit jo vetëm për fermerët por edhe për SME-t.
Si masë tjetër sociale, qeveria do të akordojë një bonus veror për pensionistët në vlerën 5,000 lekë, që do të përfitojnë 777,000 qytetarë; efekti financiar është rreth 3.7 miliardë lekë dhe, sipas njoftimit, mbulon të gjithë numrin e përfituesve sipas kategorive.

