Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, mori pjesë në Forumin Botëror të Kancerit 2026, të organizuar nga revista “The Economist”, ku u diskutuan sfidat dhe zgjidhjet për akses të barabartë në kujdesin ndaj kancerit në Evropë. Në fjalën e saj, Sala theksoi se pabarazitë në trajtimin e kancerit nuk zgjidhen me reforma të fragmentuara, por kërkojnë një transformim të plotë të sistemit shëndetësor, që përfshin të gjitha fazat: parandalimin, depistimin, diagnostikimin e hershëm, trajtimin dhe kujdesin pas trajtimit.
Ajo nënvizoi se akses i barabartë mbetet sfida kryesore në kontinent, duke theksuar se mundësitë për mbijetesë nuk duhet të varen nga vendbanimi i pacientit. Diagnostikimi i hershëm, qasja në trajtime inovative dhe zhvillimi i kapaciteteve të sistemeve shëndetësore u identifikuan si faktorë vendimtarë për reduktimin e pabarazive. Sipas ministres, suksesi i politikave të kancerit duhet të matet jo vetëm me përparimet shkencore, por edhe me aftësinë e sistemeve shëndetësore për të ofruar diagnozë më të shpejtë, kohë më të shkurtra pritjeje dhe kujdes më të koordinuar për pacientët.
Në panel, Sala prezantoi reformat që Shqipëria po ndërmerr në sektorin e onkologjisë, me fokus në rritjen e aksesit, cilësisë dhe barazisë në shërbime. Më kryesoret janë krijimi i Institutit Kombëtar të Kancerit si qendër kombëtare për kujdes të integruar, kërkim shkencor dhe edukim; decentralizimi i shërbimeve të onkologjisë mjekësore përmes forcimit të njësive rajonale; dhe modernizimi i shërbimit kombëtar të radioterapisë.
Ministria po punon gjithashtu për përmirësimin e legjislacionit për barnat dhe pajisjet mjekësore, duke e harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian, dhe përshpejtimin e transformimit digjital në shëndetësi për të përmirësuar koordinimin e kujdesit, sistemet e referimit dhe përdorimin e të dhënave shëndetësore.

