Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, po merr pjesë në sesionin e 79-të të Asamblesë Botërore të Shëndetësisë, i cili nisi me diskutime për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet online dhe ndikimin e dhunës digjitale. Në memorialin kushtuar fëmijëve të humbur si pasojë e dhunës digjitale, një nismë e OBSH-së me pjesëmarrjen e dukeshës së Sussex Meghan Markle, Sala rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për vendosjen e fëmijëve në qendër të politikave dhe reformave sociale. Ajo përmendi se vendi ynë është ndër të parët në Ballkanin Perëndimor që ka miratuar një Plan Kombëtar Veprimi për Garancinë Evropiane për Fëmijët, me fokus te parandalimi, përfshirja dhe moslënia e asnjë fëmije pas: “Jemi ndër vendet e para në Ballkanin Perëndimor që kemi miratuar një Plan Kombëtar Veprimi për Garancinë Evropiane për Fëmijët, me një fokus të qartë: parandalimin, përfshirjen dhe moslënien e asnjë fëmije pas.” Në fjalën e saj, Sala nënvizoi gjithashtu se “Dhënia fund e dhunës ndaj fëmijëve nuk mund të mbetet vetëm një deklaratë vullneti; ajo kërkon guxim politik dhe bashkëpunim ndërkombëtar”. Shqipëria është pjesë e Këshillit të Kampionëve të OBSH-së, theks që u lidh me trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve si sfidë të shëndetit publik, të drejtave të njeriut dhe të zhvillimit.
Gjatë një eventi të Komisionit Pan-Europian për Klimën dhe Shëndetin të OBSH-së, ministrja theksoi ndikimin në rritje të ndryshimeve klimatike në sistemet shëndetësore, shëndetin mendor dhe mirëqenien, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë, dhe prezantoi prioritetet e Planit Kombëtar të Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026–2036. “Për Shqipërinë, ky është një prioritet i qartë kombëtar. Ne po zbatojmë Planin Kombëtar të Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026–2036, i cili e vendos shëndetin në qendër të përpjekjeve për përshtatje. Prioritetet tona përfshijnë: forcimin e gatishmërisë dhe sistemeve të paralajmërimit të hershëm; fuqizimin e kujdesit shëndetësor parësor dhe rezistencës së komuniteteve; investimin në fuqinë punëtore shëndetësore; mbrojtjen e popullatave vulnerabël; si edhe forcimin e koordinimit ndërinstitucional për klimën dhe shëndetin”, deklaroi Sala.
Ajo vlerësoi rekomandimet e Komisionit Pan-Europian si një hap të rëndësishëm për forcimin e sistemeve shëndetësore rezistente ndaj klimës, integrimin e shëndetit mendor, rritjen e koordinimit politik dhe mbështetjen e zgjidhjeve të bazuara në komunitet. Sesioni i 79-të do të ketë në fokus reformimin e qeverisjes shëndetësore globale, përgatitjen dhe reagimin ndaj pandemive, financimin e qëndrueshëm të OBSH-së dhe forcimin e sistemeve shëndetësore, si dhe çështje si shëndeti digjital, inteligjenca artificiale, sëmundjet jo të transmetueshme, shëndeti mendor, efektet e ndryshimeve klimatike në shëndet dhe menaxhimi i krizave humanitare me ndikim gjeopolitik.

