Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilluan një takim me drejtuesit vendorë të Policisë së Shtetit dhe të strukturave të Policisë Kufitare, me theks në forcimin e standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve dhe në rritjen e besimit të publikut te Policia. Në fjalën e tij, ministri theksoi nevojën që çdo strukturë policore, në çdo nivel, të jetë e orientuar drejt qytetarit dhe të garantojë një shërbim profesional, etik, të shpejtë dhe në përputhje të plotë me ligjin.
Lamallari vuri në dukje se perceptimi dhe besimi i qytetarëve ndërtohen çdo ditë mbi bazën e profesionalizmit, etikës dhe mënyrës se si Policia u përgjigjet ankesave, shqetësimeve dhe kërkesave të tyre për informacion, duke ripërtërirë rëndësinë e një reagimi të shpejtë dhe të drejtë ndaj çdo shqetësimi, ankese apo kërkese. Ai nënvizoi se etika nuk duhet të shihet si një standard i jashtëzakonshëm, por si minimumi i detyrueshëm në sjelljen dhe komunikimin e çdo punonjësi të Policisë, duke theksuar se “Etika është minimumi. Shërbimi cilësor, i shpejtë dhe konform ligjit është ajo çfarë presin dhe meritojnë qytetarët”.
Në takim u kërkua nga drejtuesit vendorë që këto standarde të bëhen pjesë e pandashme e punës së përditshme të strukturave policore. U shtua theksi tek rëndësia e reagimit të shpejtë dhe të drejtë ndaj çdo kërkese apo shqetësimi të qytetarëve, si dhe tek respekti rigoroz i ligjit si element kyç i veprimit policor. Ministri kërkoi gjithashtu që drejtuesit të kushtojnë vëmendje të shtuar mënyrës së komunikimit me publikun, duke e konsideruar çdo kontakt të qytetarit me Policinë si një mundësi për të forcuar besimin te institucioni.
Forcimi i marrëdhënies Polici–Qytetar, rritja e profesionalizmit dhe respektimi strikt i ligjit u paraqitën si elementë thelbësorë për një Polici më të besueshme, më të përgjegjshme dhe më pranë komunitetit.

