Në kuadër të takimit të Miqve të Ballkanit Perëndimor në Athinë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim dypalësh me Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, George Gerapetritis. Bisedimet rikonfirmuan rëndësinë e partneritetit strategjik mes dy vendeve, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe vullnetin për të vijuar dialogun e hapur dhe konstruktiv në funksion të forcimit të bashkëpunimit dypalësh dhe perspektivës së përbashkët europiane.
Ministri Hoxha vuri në dukje se “Partneriteti strategjik, miqësia, dialogu i hapur dhe konstruktiv, si dhe e ardhmja e përbashkët europiane janë shtyllat e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë”, duke theksuar edhe përgjegjësinë e të dy vendeve si fqinj dhe aleatë në NATO për të kontribuar në një rajon më të sigurt, më të ndërlidhur dhe më të begatë. Diskutimet përfshinë ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe, procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe zhvillimet dhe sfidat rajonale në Ballkanin Perëndimor.
Në fokus të takimit ishte edhe rëndësia strategjike e zgjerimit të Bashkimit Europian, veçanërisht në kontekstin e ripërtëritjeve të diskutimeve mbi të ardhmen e Europës dhe nevojën për të ruajtur ritmin dhe besueshmërinë e procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Hoxha theksoi se “Një proces zgjerimi i besueshëm, i bazuar në meritë dhe me vizion për të ardhmen, është thelbësor jo vetëm për transformimin e Ballkanit Perëndimor, por edhe për sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë afatgjatë të Europës”.
Ministri shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe nënvizoi angazhimin e vendit për të avancuar negociatat përmes zbatimit të reformave dhe përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga ky proces. Gjatë bisedimeve u theksua se Shqipëria dhe Greqia, përveç aleancës në NATO, ndajnë lidhje historike, ekonomike dhe njerëzore që forcojnë interesin e përbashkët për një bashkëpunim më të ngushtë dhe për një rajon më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe më të begatë.
Në përfundim Hoxha shprehu kënaqësinë për të mirëpritur homologun Gerapetritis në Shqipëri në një të ardhme të afërt për të vijuar dialogun dhe bisedimet në interes të të dy vendeve.
