Në margjinat e Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, Shqipëria, përmes ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, nënshkroi Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Krimit Kibernetik. Me këtë veprim shteti shqiptar konfirmon angazhimin e tij për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në trajtimin e një kërcënimi që prek qytetarët, bizneset dhe institucionet publike.
Konventa përcakton një kornizë për bashkëpunim të zgjeruar ndërkombëtar, duke lehtësuar ndarjen e provave elektronike midis shteteve dhe duke forcuar përpjekjet kolektive për parandalimin, hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të rënda në hapësirën digjitale. Dokumenti synon të përmirësojë instrumentet dhe mekanizmat që i lejojnë aktorët shtetërorë të bashkërendojnë veprimet e tyre në rastet që kërkojnë bashkëpunim ndërkufitar për ofrimin e provave dhe ndjekjen ligjore.
Ministri Hoxha theksoi se për Shqipërinë ndërtimi i sigurisë, qëndrueshmërisë dhe besimit në hapësirën e teknologjisë përbën një pjesë integrale të agjendës më të gjerë të transformimit digjital. Ai nënvizoi nevojën që aftësia për të mbrojtur të gjithë ata që i janë nënshtruar potencialit të teknologjisë të rritet paralelisht me vetë zhvillimet teknologjike: “Ndërsa teknologjia vazhdon të krijojë mundësi të reja për rritje dhe inovacion, ne duhet të sigurohemi që aftësia jonë për të mbrojtur ata që mbështeten në potencialin e saj, të mund të rritet paralelisht me këto zhvillime.”
Përmes nënshkrimit, Shqipëria deklaron gjithashtu gatishmërinë për të punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë në zbatimin e parimeve të konventës, me synimin e krijimit të një mjedisi digjital më të sigurt, më të mbrojtur dhe më të besueshëm për të gjithë. “Shqipëria mbetet e përkushtuar për të punuar ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë për të çuar përpara këto parime dhe për të kontribuar në një mjedis digjital më të sigurt, më të mbrojtur dhe më të besueshëm për të gjithë”, shtoi Ministri i Jashtëm. (Top Channel)

