Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në një intervistë për RTL Today tha se besueshmëria e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian varet jo vetëm nga reformat e vendeve kandidate, por edhe nga gatishmëria e BE-së për të respektuar angazhimet e saj. Ai vuri në dukje se Shqipëria ka avancuar me ritme të shpejta në negociatat e anëtarësimit, duke hapur gjashtë grup-kapituj brenda 13 muajve dhe duke kaluar vlerësimin e ndërmjetëm për grup-kapitullin “Themeloret”.
Hoxha theksoi se ky progres është rezultat i punës së vazhdueshme dhe përgatitjeve të brendshme: “Duke pritur, ne nuk u mjaftuam duke parë yjet. Ne punuam. Vumë ekipet tona në punë. U përgatitëm”. Megjithatë, ai pranoi se Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë përpara në fusha si lufta kundër korrupsionit, funksionimi i drejtësisë, liria e medias dhe mbrojtja e mjedisit.
Ministri insistoi se procesi i anëtarësimit duhet të mbetet i bazuar në meritë, por ky parim duhet të zbatohet në të dyja drejtimet: vendet kandidate të përmbushin angazhimet e tyre dhe Bashkimi Evropian të përmbushë pjesën e tij të marrëveshjes. Ai apeloi për përkushtim dhe shpejtësi në punë: “Mos humbni asnjë çast, asnjë minutë, asnjë orë. Punoni, punoni, punoni”.
Hoxha shprehu gjithashtu mbështetje për integrimin gradual të vendeve kandidate në strukturat evropiane edhe para anëtarësimit të plotë. Ai tha se Shqipëria është tashmë plotësisht e harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe se pjesëmarrja në diskutime si vëzhgues do të lejonte shkëmbim mendimesh, mësim dhe përgatitje, edhe në mungesë të të drejtës së votës: “Gjithçka që diskutojnë ata bëhet edhe e jona. Atëherë pse të mos jemi të pranishëm si vëzhgues? Nuk mund të votojmë, por mund të shkëmbejmë mendime, të mësojmë dhe të përgatitemi”.
Në vlerësimin e tij strategjik, Hoxha tha se zgjedhja evropiane e Shqipërisë nuk është e pjesshme: “Kur bën një zgjedhje, siç kemi bërë ne për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, nuk është si një meny. Ne marrim të gjithë paketën”. Ai e konsideroi integrimin evropian si vijë jetike dhe projektin kryesor për të ardhmen e vendit.

