Miley Cyrus u nderua me yllin e saj në “Hollywood Walk of Fame” gjatë një ceremonie emocionale në Los Angeles, ku artistja nuk arriti t’i mbante lotët gjatë fjalimit të saj. Ajo falënderoi publikisht familjen dhe njerëzit më të afërt për mbështetjen e vazhdueshme ndër vite, duke thënë: “Të falënderoj familjen time, familjen time të ardhshme, prindërit, mamin, vëllezërit e motrat, miqtë, bashkëpunëtorët… faleminderit që më doni dhe më mbështesni jo vetëm në zgjedhjet që bëj, por edhe në frikërat e mia, dhe që i përballoni bashkë me mua.”
Në ceremoni ishin të pranishëm nëna e saj, Tish Cyrus, motra Brandi Cyrus dhe i fejuari Maxx Morando. Mes të ftuarve VIP u përmendën Donatella Versace dhe Anya Taylor-Joy, të cilat e vlerësuan artisten me fjalë të ngrohta gjatë eventit. U vu re mungesa e babait të saj, Billy Ray Cyrus, i cili nuk mori pjesë në ceremoni.
Gjatë fjalimit, Miley foli për domethënien simbolike të yllit në një nga bulevardet më ikonike të Hollywood-it: “Ky yll, disi, përfaqëson pavdekësinë… dhe megjithëse më pëlqen vargu, fakti që nuk do të jetoj përgjithmonë është ajo që krijon urgjencën dhe e ndez zemrën time.” Ajo theksoi se ky sukses nuk arrihet brenda natës, por është rezultat i viteve të përkushtimit dhe punës: “Ajo që e bën të veçantë për mua është se ky yll është një grumbullim përkushtimi. Nuk është diçka që e fiton si një lojë sezonale… nuk është diçka që e ndjek apo e mbledh… nuk është diçka që e bën ‘albumin tjetër’ për ta marrë,” – u shpreh ajo.
Një moment prekës i fjalimit ishte rikthimi në kujtimet e hershme të Los Angeles-it, kur si fëmijë vinte nga Nashville dhe bënte shëtitje natën me babanë në Hollywood Blvd: “Kur erdha për herë të parë në LA si një vajzë e vogël nga Nashville, familja ime qëndronte në një hotel në Hollywood Blvd, dhe unë bëja shëtitje natën vonë me babin tim, kur askush nuk e njihte… kishim dyqanet e suvenireve vetëm për vete dhe blinim ‘Oscarë’ të rremë dhe produkte me Marilyn Monroe. Tani, të jem e ‘cementuar’ në këtë bulevard legjendar… më duket si një ëndërr,” – rrëfeu ajo.
Në fund të ceremonisë, Miley tha se ky moment do të mbetet ndër kujtimet më të rëndësishme të jetës së saj, dhe vendosi syzet e diellit për të fshehur lotët pas fjalimit emocional.

