Goli i shënuar në San Siro kundër Interit ka rritur ndjeshëm vëmendjen ndaj Nicolò Tresoldit. Sulmuesi i lindur në 2002 tërheq interesin e disa klubeve dhe paraqitjet e tij, si dhe simpatia për ngjyrat kuqezi, kanë bërë që edhe Milani ta konsiderojë si objektiv për të ardhmen. Sipas La Gazzetta dello Sport, presidenti i grupit pronar të Milanit, Gerry Cardinale, dëshiron që klubi të lëvizë që tani për të mos humbur mundësinë e transferimit dhe i ka kërkuar ekipit përgjegjës për merkaton të monitorojë nga afër situatën e lojtarit dhe kontaktet me përfaqësuesit e tij.
Operacioni pritet të jetë i vështirë pasi interesi i klubeve të Premier League mund ta komplikoje garën për kuqezinjtë, ndërsa vlera e kartonit të Tresoldit raportohet të ketë arritur tashmë në 50 milionë euro. Milani synon të mos presë deri në fund të sezonit dhe po e ndjek mundësinë si për merkaton e janarit, ashtu edhe për atë të verës. Mosha e re dhe tiparet e Tresoldit përputhen me strategjinë e RedBird dhe Milanit, që synojnë të investojnë te lojtarët me potencial të madh zhvillimi dhe rishitjeje.
Në këtë kontekst, profili i tij konsiderohet i ngjashëm në disa aspekte me atë të brazilianit Endrick, për të cilin Milani ka shfaqur interes gjatë muajve të fundit. Një problem kryesor mbetet vlera gjithnjë e në rritje e lojtarit; çmimi i raportuar prej 50 milionë eurosh mund të rritet më tej deri në verë nëse ai vazhdon me paraqitje pozitive. Edhe Club Brugge pritet të luajë rol të rëndësishëm në negociata; klubi belg ka treguar më parë se nuk është i gatshëm të bëjë lëshime të mëdha për lojtarët e tij, siç ndodhi në rastin e Ardon Jasharit.
Për këto arsye, drejtuesit e Milanit po studiojnë mundësinë e një lëvizjeje të hershme, përpara se konkurenca të përforcohet dhe çmimi të rritet më tej.

