Mësuesit pritet të rikthehen në auditor, ndërsa universitetet do të hapin dyert për trajnimin e tyre dhe të drejtuesve të shkollave. Ministria e Arsimit ka nxjerrë thirrjen për shprehje interesi dhe dorëzimin e ofertës ekonomike për “Zhvillimin profesional të mësuesve dhe drejtuesve të shkollave me SmartLab në teknologji, aftësi digjitale dhe inteligjencë artificiale”, me fond limit mbi 5 milionë lekë. Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP) i ka adresuar këtë kërkesë shtatë institucioneve të arsimit të lartë: Universitetit të Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Gjirokastrës, Korçës, Shkodrës dhe Vlorës, duke vlerësuar rëndësinë e rolit të tyre në ngritjen e kapaciteteve në shkolla.
Sipas ASCAP, institucionet e arsimit të lartë ofrojnë programe formimi fillestar për mësuesit (diploma Bachelor dhe Master) që përfshijnë njohuri pedagogjike dhe përdorimin e teknologjisë në praktikë, si dhe qendra të edukimit të vazhdueshëm që ofrojnë trajnime të specializuara dhe të akredituara. Projekti, i mbështetur nga Banka Botërore, ka financuar deri tani 216 laboratorë SMART në 200 shkolla të arsimit fillor dhe fokusohet së pari në trajnimin e 252 drejtorëve të shkollave dhe specialistëve të zyrave vendore arsimore për sigurinë kibernetike në përdorimin e platformave online në klasat 1–3.
Nënkomponenti i dytë synon zbatimin e kurikulës së TIK-ut dhe vlerësimin e arritjeve të nxënësve të klasës së tretë përmes testeve dhe analizës së rezultateve, si dhe menaxhimin e sigurisë kibernetike përmes trajnimit të 200 mësuesve të TIK-ut. Nënkomponenti i tretë përqendrohet në integrimin e aftësive digjitale në lëndët e tjera dhe në zhvillimin profesional të vazhdueshëm për 800 mësues të arsimit fillor, përmes trajnimeve të avancuara mbi sigurinë kibernetike në përdorimin e platformave online.
Përveç aftësive teknike, parashikohet që mësuesit, veçanërisht ata të TIK-ut, të pajisen me njohuri për përdorimin etik, të sigurt dhe efektiv të mjeteve të inteligjencës artificiale në procesin mësimor. Iniciativa përfshin edhe pilotimin e zgjidhjeve digjitale për mësimin në distancë në shkolla me klasa kolektive, ku pjesa më e madhe e nxënësve janë nga komuniteti rom.

