Një kollë e fortë dhe vështirësi në frymëmarrje, që Mikaela Rajli i kishte menduar fillimisht si pasojë e infeksionit me COVID-19, zbuluan më vonë një sëmundje serioze. 34-vjeçarja nga Londra u diagnostikua me timomë të stadit të tretë, një formë e rrallë e kancerit që prek gjëndrën e timusit në pjesën e kraharorit. Simptomat vazhduan edhe 19 ditë pas infektimit me koronavirus, ndërsa dhimbjet dhe problemet me frymëmarrjen përkeqësoheshin; shqetësimi i nënës e shtyu të shkonte në urgjencë. Në atë vend mjekët zbuluan, pas një sërë ekzaminimesh, një tumor me madhësi 6.4 centimetra.
Diagnoza shënoi fillimin e një periudhe të vështirë për Rajlin, e cila në atë kohë ishte nënë e një djali tetëvjeçar. Përpara ndërhyrjes kirurgjikale ajo u nënshtrua 21 cikleve kimioterapie, me qëllim zvogëlimin e tumorit. Në shtator të vitit 2021 ajo iu nënshtrua një operacioni kompleks rreth pesë orë të gjatë në spitalin Guy’s në Londër. Për shkak të përhapjes së tumorit pranë zemrës dhe enëve të mëdha të gjakut, kirurugët hoqën masën tumorale dhe rindërtuan pjesë të enëve të gjakut dhe të perikardit, membranës që rrethon zemrën.
Pesë vite pas diagnozës, Rajli e ka fituar betejën me sëmundjen; sipas mjekëve ajo është shëruar dhe vazhdon të jetë pa kancer. Pas përfundimit të trajtimit ajo u bë nënë e një vajze, pa pasur nevojë për trajtime fertiliteti, megjithëse para kimioterapisë kishte ngrirë vezët për të ruajtur mundësinë për të pasur fëmijë në të ardhmen. Përmes rrëfimit të saj, Mikaela synon të ndajë përvojën e vështirë dhe të theksojë rëndësinë e diagnostikimit të hershëm, veçanërisht kur simptomat vazhdojnë ose përkeqësohen.

