Kryeministrja italiane Georgia Meloni feston rekordin e qeverisë së saj si qeveria më jetëgjatë në historinë e Italisë, siç njofton vetë në rrjetet sociale. Ajo i atribuon këtë rezultat, siç shkruan, meritës së një koalicioni të bashkuar dhe një qasjeje të kujdesshme ndaj publikut.
Meloni citohet duke thënë se “Ne kurrë nuk e kemi konsideruar besimin e qytetarëve një çek të bardhë”. Në mesazhin e saj shton se mirëpriste këtë fakt me mirënjohje dhe me një ndjenjë të fortë përgjegjësie, duke theksuar se stabiliteti “nuk është një rekord për t’u ekspozuar, por kushti që i mundëson një kombi të planifikojë, të marrë vendime, të mbajë angazhimet dhe të respektohet”.
Ajo rendit arritjet e qeverisë gjatë këtyre viteve, përfshirë rritjen e punësimit, uljen e papunësisë, mbështetjen për familjet dhe bizneset, forcimin e sigurisë, menaxhimin serioz të financave publike dhe rikthimin e peshës dhe besueshmërisë së Italisë në skenën ndërkombëtare. Megjithatë, Meloni thekson se rezultatet janë të dukshme, por edhe se mbeten shumë punë për t’u bërë.
Me ton të theksuar modestie, kryeministrja e vlerëson stabilitetin si produkt të punës së një koalicioni që, sipas saj, qeveris prej katër vitesh me një vizion të përbashkët. Ajo nënvizon se ky koalicion ka zgjedhur të qëndrojë së bashku “jo kundër dikujt, por për të realizuar një projekt për Italinë”.
Meloni njofton se vitin e ardhshëm qeveria do t’u rikthehet qytetarëve me raportin e asaj që është bërë, me ato që mbeten për t’u bërë dhe me idenë e saj për të ardhmen, duke theksuar se edhe sërish qytetarët do të vendosin nëse qeveria meriton të vazhdojë rrugëtimin. Mesazhi përfundon me thirrjen: “Përpara, me këmbë në tokë dhe me sytë nga e ardhmja”.

