Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe homologja e saj daneze, Mette Frederiksen, botuan një apel të përbashkët në rrjetet sociale duke njoftuar bashkëpunimin për frenimin e “emigracionit të pakontrolluar” dhe duke argumentuar se ky fenomen sjell “ndikime negative për shoqërinë”. Apeli vjen në ditët e përplasjeve mes Italisë dhe Spanjës pas krizës së Ceutës dhe pas vendimit të Palazzo Chigi-t për pezullimin e zbatimit të Marrëveshjes së Shengenit. Menjëherë pas mbërritjes në enklavën spanjolle të Ceutës të më shumë se 70 mijë emigrantëve të paligjshëm, dy kryeministret nxitën një letër të firmosur nga 22 vende europiane drejtuar institucioneve të Bashkimit Evropian.
Meloni dhe Frederiksen theksojnë se vijnë nga qëndrime politike shumë të ndryshme dhe se nuk bien dakord për gjithçka, por rëndësia e mbrojtjes së Evropës, e sigurisë së qytetarëve dhe e vlerave të përbashkëta i bashkon. Ato nënvizojnë gjithashtu se janë dy gratë e vetme që drejtojnë qeveri në BE, njëra e një vendi të madh të Jugut dhe tjetra e një vendi të vogël të Veriut. Në mesazhin e tyre, dy kryeministret shprehin shqetësim për ndikimet e emigracionit të paligjshëm mbi shoqëritë: rritjen e shkallës së kriminalitetit, presionin në rritje mbi shërbimet publike dhe gërryerjen e besimit të qytetarëve.
Ato vënë në dukje se situata bëhet “veçanërisht e rëndë” kur emigrantë të paligjshëm, të cilëve u mungon e drejta për të qëndruar, kryejnë krime të dhunshme dhe merren me trafik droge. Duke theksuar nevojën për përgjigje konkrete, Meloni dhe Frederiksen deklarojnë se qytetarët europianë presin veprime konkrete nga përfaqësuesit politikë. Sipas tyre, për një kohë tepër të gjatë njerëzit e zakonshëm kanë paguar një çmim të lartë për shkak të emigracionit të pakontrolluar, dhe është detyrë e qeverive të angazhohen me vendosmëri për t’u ofruar qytetarëve përgjigje konkrete, veçanërisht atyre më të ekspozuar.
Mesazhi përfshin thirrjen për politika më të rrepta emigracioni, si në nivel kombëtar ashtu edhe më gjerë në Evropë, dhe kërkon më shumë siguri dhe mbrojtje për komunitetet. Nisma e përbashkët u komunikua publikisht edhe përmes postimit të Melonit në Facebook.

