Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Kryetari i Kuvendit prezantoi bilancin e punës së Kuvendit gjatë dy sesioneve të para të Legjislaturës së XI, duke e cilësuar këtë periudhë si një fazë reformash dhe modernizimi institucional në funksion të objektivit strategjik të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai theksoi se Kuvendi ka forcuar tre funksionet kushtetuese — ligjvënëse, mbikëqyrëse dhe zgjedhëse — me miratimin e 131 ligjeve, rreth 40 më shumë se në dy sesionet e fundit të legjislaturës së kaluar. Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë parlamentare është kushtuar procesit të integrimit europian, përfshirë shqyrtimin e projektligjeve për përafrimin me acquis të BE-së, monitorimin e negociatave dhe miratimin me konsensus të Rezolutës për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Në aspektin e mbikëqyrjes parlamentare u prezantua zbatimi i një modeli të ri, i orientuar drejt vlerësimit të performancës së institucioneve dhe monitorimit të zbatimit të rekomandimeve të Kuvendit, si dhe hartimi për herë të parë i Kalendarit Vjetor të Mbikëqyrjes Parlamentare. Kryetari ndaloi edhe te modernizimi teknologjik i institucionit, duke përmendur përdorimin e inteligjencës artificiale për transkriptimin automatik të mbledhjeve parlamentare dhe zhvillimin e platformës Media Hub AI, që synon të rrisë transparencën dhe aksesin e publikut në veprimtarinë parlamentare.
U vlerësua roli i diplomacisë parlamentare në mbështetje të procesit të integrimit europian, përmes intensifikimit të bashkëpunimit me Parlamentin Europian, parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, Kongresin Amerikan dhe partnerët ndërkombëtarë. Në përmbyllje, Kryetari shprehu mirënjohjen ndaj deputetëve të Grupit Socialist për kontributin e tyre në veprimtarinë parlamentare, diplomacinë parlamentare dhe angazhimin në komunitet, duke theksuar se faza përfundimtare e procesit të integrimit europian kërkon angazhim të të gjitha institucioneve dhe të gjithë shoqërisë shqiptare.

