Mbi 220 mijë vizitorë kanë zgjedhur deri tani Kalanë e Gjirokastrës, rreth 15 mijë më shumë se një vit më parë. Shifra e turistëve që kanë hyrë në një nga monumentet më të rëndësishme të qytetit tregon një rritje të interesit për Gjirokastrën edhe gjatë këtij sezoni turistik. Pjesa më e madhe e vizitorëve janë turistë të huaj, të cilët përfshijnë kalanë në itineraret e tyre gjatë qëndrimit në jug të Shqipërisë.
Brenda mureve të kalasë, vizitorët shohin hapësirat historike, muzeun dhe koleksionet që dëshmojnë historinë e gjatë të qytetit, ndërsa nga lart shijojnë panoramën e Gjirokastrës dhe luginës së Drinos. Disa turistë kanë ndarë përshtypjet e tyre gjatë vizitës: “Është hera jonë e parë në Shqipëri dhe jemi vërtet të impresionuar nga Gjirokastra. Kalaja është diçka e veçantë. Na pëlqeu shumë arkitektura, historia që përcjell dhe sidomos mënyra se si është ruajtur. Gjithçka duket shumë autentike dhe pamja nga kalaja është fantastike”, u shpreh një turist gjerman. Një tjetër turiste tha: “Për ne kjo është hera e parë që vizitojmë Shqipërinë dhe Gjirokastrën. Kalaja na surprizoi shumë. Është shumë e bukur dhe duket e mirëmbajtur. Na pëlqen që mund të ecësh nëpër hapësirat e saj dhe të ndjesh historinë e vendit”. Edhe një turistë italiane vuri në dukje: “Gjirokastra na ka pëlqyer shumë, por kalaja ishte padyshim një nga impresionet më të veçanta. Është një vend shumë i bukur, i ruajtur dhe i mirëmbajtur, ku mund të kuptosh më mirë historinë dhe kulturën e këtij qyteti”.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janë regjistruar rreth 15 mijë vizitorë më shumë, një tregues pozitiv për turizmin kulturor në qytet. Kalaja vijon të jetë një prej pikave kryesore të turizmit në Gjirokastër, ndërsa fluksi i vizitorëve pritet të vijojë edhe gjatë muajve të vjeshtës, kur qyteti i gurtë mbetet pjesë e itinerareve të turistëve që vizitojnë jugun e vendit.

