Mbi 10 kompani financiare janë regjistruar për Truth API, një shërbim i ri i Trump Media and Technology Group që u mundëson tregtarëve të Wall Street-it të marrin më shpejt postimet me ndikim në treg nga platforma Truth Social. Shërbimi, i lançuar në fillim të gushtit dhe njoftuar në korrik, synon t’u japë klientëve një avantazh kohor duke i lejuar të shohin postimet e llogarive më me ndikim para se ato të përhapen gjerësisht në treg.
Firmat, kryesisht të tregtimit me frekuencë të lartë, paguajnë për këtë akses deri në 100,000 dollarë në muaj; drejtori ekzekutiv i përkohshëm i kompanisë, Kevin McGurn, tha se klientët aktualë paguajnë nga 60,000 deri në 100,000 dollarë në muaj. Trump Media pret që Truth API të shndërrohet në një burim të ri dhe të qëndrueshëm të ardhurash dhe ta përfshijë si komponent kryesor të strategjisë së saj të biznesit, së bashku me të ardhurat nga reklamat dhe asetet dixhitale. Kompania po shqyrton gjithashtu mundësi bashkëpunimi me firma teknologjike, organizata mediatike dhe tregje bastesh.
Modeli i ri i biznesit ka ngritur pyetje ligjore dhe etike, pasi postimet e presidentit Donald Trump shpesh përmbajnë deklarata që mund të ndikojnë në çmimet e aksioneve dhe aseteve të tjera financiare. Debati përfshin edhe strukturën e pronësisë së kompanisë, me familjen e presidentit që mbetet aksionari kryesor, dhe kritikët mund të vënë në dyshim përshtatshmërinë e dhënies së aksesit të privilegjuar firmave financiare për deklaratat publike të presidentit.
Lansimi i Truth API vjen në një periudhë financiare të vështirë për Trump Media. Kompania raportoi një humbje prej 238 milionë dollarësh për tremujorin prill–qershor, më shumë se dhjetë herë më e lartë se humbja në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, të ardhurat u rritën në 1.7 milionë dollarë, një rritje prej 89% krahasuar me një vit më parë. Trump Media deklaroi po ashtu se mbylli tremujorin e dytë me rreth 2 miliardë dollarë në asete, dhe me rreth 1.9 miliardë dollarë në asetet financiare, duke përfshirë para të gatshme, investime afatshkurtra dhe monedha digjitale.

