Procesi i Dialogut Strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë nisi të premten në Uashington, në një takim të hapur nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Gjatë takimit u nënshkruan dy memorandume: një për bashkëpunim në fushën e energjisë dhe një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e arsimit.
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, tha se memorandumi për energjinë do të hapë perspektiva të reja për sigurinë energjetike të Serbisë, pasi parashikon ndërtimin e ndërlidhësve të rinj të gazit. Për memorandumit në fushën e arsimit, Gjuriq tha se ai ka të bëjë me zgjerimin e programit Fulbright, duke krijuar mundësi për studentë, të rinj dhe komunitetin shkencor, si dhe mbështetjen e komunitetit akademik nga të dy vendet.
Departamenti amerikan i Shtetit e përshkroi Dialogun Strategjik si nisjen e një epoke të re në marrëdhëniet mes dy vendeve. Sipas DASH-it, përmes këtij dialogu SHBA-ja dhe Serbia do të punojnë për arritjen e objektivave të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, zgjerimin e lidhjeve në biznes dhe arsimin, dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë. Sekretari Rubio, thuhet, kishte njoftuar më 6 gusht të vitit të kaluar për zhvillimin e këtij dialogu.
Dialogu strategjik, që SHBA-ja zhvillon me dhjetëra shtete për të thelluar bashkëpunimin, përfshin fusha nga ekonomia dhe siguria deri te politika e jashtme. Për nisjen e këtij dialogu me Serbinë pati bisedime që në gusht 2025, por atëherë ai nuk u zhvillua. Serbia kishte nënshkruar në shtator 2024 marrëveshjen e saj të parë strategjike në fushën e energjisë me SHBA-në. Në janar të këtij viti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se SHBA-ja i kishte paraqitur dy “kërkesa formale” për nisjen e dialogut — njëra politike dhe tjetra lidhur me energjinë, pa dhënë detaje.
Uashingtoni e sheh frenimin e ndikimit të Kinës dhe Rusisë në Ballkanin Perëndimor si një nga interesat kryesore. Ulja e varësisë energjetike nga Rusia dhe zvogëlimi i ndikimit kinez janë përfshirë në objektivat e Ligjit amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, të miratuar në mes të dhjetorit. Një çështje tjetër në marrëdhëniet dypalëshe janë sanksionet ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) për shkak të pronësisë ruse; sanksionet u vendosën në fillim të vitit 2025, por zbatimi është shtyrë dhe licenca e OFAC-it është rinovuar periodikisht, së fundi për 30 ditë më 30 qershor.

