Manuel Neuer u përball me kritika të ashpra në Gjermani pas humbjes 2-1 ndaj Ekuadorit në Kupën e Botës. Portieri 40-vjeçar mori notën 5 nga shumica e mediave gjermane, një vlerësim që sipas sistemit arsimor gjerman konsiderohet shumë i dobët. Në golin vendimtar të shënuar nga Plata, Neuer reagoi me vonesë dhe nuk arriti ta ndalte topin, duke u konsideruar një nga fajtorët kryesorë për disfatën e kombëtares.
Neuer ishte tërhequr nga kombëtarja pas Kampionatit Evropian, por u rikthye për Botërorin pasi shumë tifozë dhe analistë menduan se ai meritonte të ishte titullar duke luajtur ende me Bayern Munich. Megjithatë, forma e tij kishte qenë e luhatshme: edhe te Bayern ai alternonte paraqitje të shkëlqyera me paraqitje që ngritën pikëpyetje për nivelin e tij aktual. Për më tepër, ai mungoi në dy ndeshjet miqësore para Kupës së Botës për shkak të dëmtimeve.
Statistikat e Neuer në këtë turne tregojnë dobësi: ai ka pësuar katër gola dhe ka realizuar vetëm tre pritje, ndërsa nuk ka arritur të mbajë portën të paprekur në asnjë ndeshje. Legjenda e futbollit gjerman, Lothar Matthäus, e kritikoi hapur duke thënë: “Siguria është diçka tjetër. Ai ishte shumë i pasigurt. Nuk është Neuer që njohim.” Edhe ish-shoku i tij i skuadrës, Bastian Schweinsteiger, u pyet për mungesën e pritjeve vendimtare, por shprehu besimin se Neuer do të mbetet një element i rëndësishëm për Gjermaninë në vazhdim të turneut.
Pavarësisht kritikave publike, trajneri Julian Nagelsmann konfirmoi besimin te portieri veteran dhe nuk pritet të bëjë ndryshime në portë për ndeshjet e fazës me eliminim direkt. Pas ndeshjes, Neuer mbrojti veten duke deklaruar se kishte tentuar të arrinte topin në rastin e golit vendimtar, por reagimi i tij rezultoi i vonuar. (Top Channel)

