Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq tre persona, të akuzuar për mashtrim kompjuterik dhe moskallëzim krimi, pasi dyshohet se mashtronin shtetas të huaj me premtimin e rikthimit të parave të humbura. Sipas dosjes, janë proceduar K.S. dhe F.K. për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe E.A. për “Moskallëzim krimi”, referuar neneve 143/b/2 dhe 300 të Kodit Penal. Hetimi i procedimit penal nr.8513, viti 2025, u nis nga informacionet e marra në rrugë operative për një ambient në rrugën Zalli, Selitë, ku po ushtrohej aktivitet i paligjshëm i një “call center”.
Gjatë kontrolleve në ambientet e përshtatura si zyra, prokuroria gjeti të akuzuarit dhe persona të tjerë të ulur në poste pune. Hetimet tregojnë se K.S. dhe F.K. ishin përgjegjës për rekrutimin dhe trajnimet e punonjësve, duke i udhëzuar ata të bindnin shtetas të huaj se mund t’u rikuperonin paratë e humbura në skema mashtruese të mëparshme, skemë e njohur si “Recovery”. Punonjësit merrnin informacione nga klientët mbi mënyrën dhe rrethanat e humbjeve të tyre, përfshirë kompanitë me të cilat kishin bashkëpunuar më parë, dhe jepnin zgjidhje për supozimin e kthimit të parave.
Më pas klientëve u ftohej një takim me një “ekspert” për shqyrtimin e ngjarjes, ndërsa vazhdimësinë e telefonatave dhe komunikimet i merrnin dhe i administronin shtetasit K.S. dhe F.K. Nga këto veprime, prokuroria ka konkluduar përfshirjen e tyre në mashtrim kompjuterik, ndërsa E.A. akuzohet për moskallëzim të krimit. Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve procedurale me iniciativë, K.S. dhe F.K. janë arrestuar dhe dërguar në gjyq për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, ndërsa E.A. është dërguar në gjyq për “Moskallëzim i krimit”.
Njoftimi mbi përfundimin e hetimeve dhe dërgimin në gjyq është bërë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

