Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, në një aktivitet në Durrës prezantoi masat për sezonin veror në zonat bregdetare. Ai njoftoi se në funksion të sigurisë së pushuesve do të jenë 35 motorë uji, personel i trajnuar, patrullime intensive përgjatë gjithë vijës bregdetare dhe monitorim nga ajri me dronë. Policia Kufitare do të përdorë teknologji të reja dhe lidhjen direkte me sistemin TIMS për të lehtësuar procedurat për jahtet, velierat dhe mjetet e tjera lundruese që vizitojnë Shqipërinë. Lamallari theksoi se Policia Kufitare shpesh është fytyra e parë e shtetit për vizitorët dhe se misioni i saj është të ofrojë shërbim profesional, korrekt dhe dinjitoz për qytetarët shqiptarë dhe të huaj.
Sipas ministrit, gjatë vitit 2025 Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare kanë ardhur në ndihmë 231 qytetarëve dhe 80 mjeteve lundruese në vështirësi në det; janë kontrolluar mbi 5 600 mjete lundruese dhe janë ndëshkuar shkeljet që rrezikonin sigurinë e pushuesve.
Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se shërbimet janë riorganizuar dhe procedurat janë lehtësuar në bashkëpunim me vendet fqinje për të reduktuar kohën e pritjes në kufij. Ai njoftoi se patrullimet dhe monitorimet shtrihen përgjatë gjithë vijës bregdetare në bashkëpunim me rojën bregdetare, që çdo vit mbështet aktivitetet e policisë dhe sigurinë detare. Ndryshe nga vitet e tjera, këtë sezon Njësia Policore Detare do të mbështetet në mënyrë të integruar edhe nga ajri, me monitorim përmes dronëve, për të garantuar kontroll më gjithëpërfshirës të territorit.
Hita theksoi se nuk do të tolerohet asnjë shkelje me mjete lundruese që rrezikon jetën e pushuesve; kontrollet ndaj mjeteve, nga motorët e ujit te skafet dhe anijet turistike, do të jenë të rrepta e të pandërprera, me verifikim rigoroz të dokumentacionit dhe respektimin e korridoreve të sigurisë dhe vendbazimeve të miratuara. Ai njoftoi gjithashtu një risi teknologjike: verifikimet dhe regjistrimet e mjeteve të huaja do të kryhen direkt në hapësirën detare përmes tabletave të lidhura me sistemin TIMS, pa nevojën që ato të bregëzohen ose të paraqiten në pikat e kalimit kufitar.

