Tre persona kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë janë plagosur, disa në gjendje kritike, pas një sulmi me armë zjarri në një restorant të rrjetit “In-N-Out Burger” në Twin Falls, jug i shtetit Idaho. Ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës në një qendër tregtare të frekuentuar, ku në momentin e të shtënave ndodheshin qindra persona.
Autoritetet lokale thanë se policia, pasi mbërriti në vendngjarje, gjeti trupin e personit që dyshohet të jetë autori i sulmit në një zonë pranë restorantit. Ende nuk është konfirmuar nëse ai përfshihet në bilancin e viktimave. Zyrtarët njoftuan se identitetet dhe moshat e të vrarëve dhe të plagosurve nuk janë bërë publike, sepse po vazhdon njoftimi i familjarëve, ndërsa disa prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë.
Dëshmitarët rrëfyen momentet e panikut dhe përshkruan se pamjet e konfuzionit mbizotëruan në vendngjarje. Një dëshmitar 34-vjeçar tha se pa një person të armatosur me një pushkë të tipit ‘AR’ duke dalë nga zona e shërbimit me makinë, ndërsa një burrë tjetër iu kundërpërgjigj dhe qëlloi me pistoletë. Po sipas tij, një punonjës i restorantit tërhoqi zvarrë një kolege të plagosur në gjoks për ta larguar nga zona e rrezikut dhe të dy qëndruan pranë saj deri në mbërritjen e ekipeve të ndihmës së shpejtë.
Një dëshmitare tjetër, e cila ndodhej në restorant me vajzat e saj, tha se dëgjoi të shtënat që vinin nga pjesa e kuzhinës. Ajo shtoi se punonjësit kërkuan nga klientët që të shtrihen në dysheme dhe më pas të largohen shpejt nga objekti, duke ndihmuar në evakuimin e njerëzve pas shpërthimit të panikut.
Policia po vijon marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe mbledhjen e provave për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes. Autoritetet nuk kanë bërë me dije nëse autori kishte shënjestruar persona të caktuar, ndërsa hetimet e para vazhdojnë.

