Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se ka pezulluar një sulm ushtarak të planifikuar ndaj Iranit, pas kërkesës së udhëheqësve të Katarit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe nisjes së negociatave të reja midis palëve. Në një postim në “Truth Social”, Trump tha se liderët e këtyre vendeve i kanë kërkuar të mos ndërmarrë sulmin, sepse, sipas tyre, ekziston mundësia për një marrëveshje të pranueshme me Teheranin. “Po zhvillohen negociata serioze. Më është thënë se mund të arrihet një marrëveshje shumë e pranueshme për SHBA-në. Nuk do të ketë asnjë armë bërthamore për Iranin”, shkroi ai.
Megjithatë, Trump paralajmëroi se SHBA-ja është e gatshme të ndërmarrë “një sulm të plotë dhe në shkallë të gjerë” nëse negociatat dështojnë. Deklarata e tij vjen në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, pas sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite ndaj objektivave iraniane dhe kundërpërgjigjes së Teheranit me raketa dhe dronë ndaj bazave amerikane dhe Izraelit.
Shtetet arabe të Gjirit shprehen shqetësim se një përshkallëzim i ri i konfliktit mund të sjellë sulme iraniane ndaj aeroporteve, rafinerive të naftës dhe impianteve të ujit në rajon, duke rrezikuar stabilitetin ekonomik dhe energjetik. Ndërkohë, Irani ruan kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët kryesore të transportit të naftës, gjë që ka ndikuar në rritjen e çmimeve globale të energjisë.
Trump u shpreh optimist për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike, duke thënë se “ka një shans shumë të mirë” dhe: “Nëse mund ta zgjidhim këtë pa bombardime, do të isha shumë i lumtur”. Nga ana tjetër, Irani reagoi ashpër ndaj paralajmërimeve amerikane; një komandant i lartë iranian paralajmëroi se SHBA nuk duhet të bëjë “gabime strategjike dhe llogaritje të gabuara”. Sipas mediave iraniane, Teherani ka kërkuar ndalimin e sulmeve në rajon, heqjen e bllokadës amerikane dhe garanci se nuk do të ketë sulme të tjera ndaj Iranit.
Sondazhet në SHBA tregojnë ulje të mbështetjes për përfshirjen në luftë me Iranin: një anketë “New York Times/Siena” tregon se 64% e amerikanëve vlerësojnë se hyrja në konflikt ishte vendim i gabuar.

