Marc Anthony dhe bashkëshortja e tij, Nadia Ferreira, njoftuan se kanë sjellë në jetë vajzën e tyre të dytë së bashku, të cilën e kanë pagëzuar Myla. Lajmin e bënë publik përmes një postimi në Instagram, ku ndanë edhe fotografi të të porsalindurës, dhe shkruanin: “Çfarë bekimi i madh të ndajmë me ju ardhjen në jetë të Mylës sonë të çmuar. Nuk mund ta imagjinoni dot lumturinë që ndiejmë në shtëpinë tonë”.
Myla është fëmija i dytë i çiftit dhe i teti për këngëtarin Marc Anthony. Ajo i bashkohet vëllait të madh, Marcos, i lindur në qershor të vitit 2023. Çifti kishte njoftuar pritjen e fëmijës së dytë në janar të këtij viti, në përvjetorin e tretë të lidhjes së tyre, duke shkruar: “Në përvjetorin tonë të tretë, jeta na dhuron një bekim të mrekullueshëm. Zoti është i madh”, dhe duke publikuar një fotografi ku Marcos vendoste dorën mbi barkun e rrumbullakosur të Nadias. Pak javë më vonë, modelja paraguajane zbuloi gjininë e foshnjës duke postuar një foto me këpucë të vogla rozë.
Marc Anthony dhe Nadia Ferreira u martuan në janar 2023 në Miami, rreth tetë muaj pasi shpallën fejesën. Për Ferreiran kjo shënon martesën e parë, ndërsa për Anthony-n është martesa e katërt. Anthony është baba i tetë fëmijëve nga marrëdhënie të ndryshme: vajza më e madhe, Arianna, lindi në vitin 1994 nga lidhja me Debbie Rosado; gjatë asaj periudhe ai adoptoi edhe djalin Chase; më pas ka dy djem, Cristian dhe Ryan, nga martesa me ish-Miss Universe Dayanara Torres; dhe binjakët Maximilian dhe Emme i ka me Jennifer Lopez, me të cilën ishte i martuar për dhjetë vjet.
Së fundmi emri i Marc Anthony u përmend në media pasi ai mungoi në ceremoninë e diplomimit të binjakëve të tij. Pas kësaj, Jennifer Lopez deklaroi në një intervistë se i kishte rritur fëmijët me shumë pak ndihmë, deklaratë që ngjalli reagime në rrjetet sociale.

