Këto ditë janë vendimtare për të kuptuar sesi do të jetë Interi i sezonit të ardhshëm, teksa merkatoja ka hyrë në fazën më të nxehtë me fillimin e gushtit. Drejtuesit, pas një periudhe bisedimesh “të fshehta”, duhet të bëjnë bilancin dhe të përshpejtojnë hapat. Strategjia e klubit dhe tratativat e deritanishme tregojnë se në horizont janë tre blerje që Ausilio e Marotta synojnë t’i sjellin si përforcime për trajnerin Cristian Chivu: një sulmues krahu i djathtë, një mesfushor dhe një qendërmbrojtës që do të bashkëpunojë me John Stones.
Çështja e mbrojtësit duket të jetë virtualisht e mbyllur me Cuti Romero. Në bisedimet e Interit me Tottenham për Spence është shfrytëzuar mundësia për të siguruar qendërmbrojtësin argjentinas; ajo që në fillim dukej e pamundur për shkak të kostove tani është në prag realizimi. Zikaltrit kanë arritur një marrëveshje verbale me klubin londinez për një paketë me bonuse që arrin në rreth 40 milionë euro, ndërsa me lojtarin thuhet se është rënë dakord për një pagë vjetore prej 5.5–6 milionë euro, e njëjtë me atë që ai merr në Londër. Për firmosjen përfundimtare të kontratës, Interi duhet të realizojë largime të mbrojtësve; në krye të listës së të larguarve është Benjamin Pavard, i cili aktualisht nuk ka oferta konkrete.
Për Pavard po kërkohet blerës dhe ai është përdorur edhe në tratativat me Al Ittihad për të arritur te Moussa Diaby, objektivi për krahun e djathtë. Interi tentoi të ofronte Kristjan Asllani si pjesë e negociatave; Asllani dhe Davide Frattessi nuk janë në planet e trajnerit, dhe largimet e tyre mund të hapnin rrugë për një tjetër mesfushor. Operacioni prioritar për mesfushën mbetet ai për Curtis Jones nga Liverpooli. Jones ka kontratë deri në 2027; Liverpool kërkon 40 milionë euro, një shifër që Interi konsideron të lartë për një lojtar që pas gjashtë muajsh mund të largohet pa shpërblim.
Nga ana tjetër, Aleksandar Stanković pritet të qëndrojë në klub. Djali i Dejan Stanković la përshtypje pozitive në miqësoren me Manchester City dhe është parë si zëvendësuesi më i besueshëm i Calhanoglu në mesin e alternativave të tjera. Për këtë arsye, Interi refuzoi një ofertë prej 40 milionë eurosh të Brentford për talentin serb. Klubi synon të shesë disa futbollistë, por nuk dëshiron të humbasë elementët më të vlefshëm për vetëm oferta që nuk i konsideron të përshtatshme.

