Manchester United ka prezantuar zyrtarisht vendin ku do të ndërtojë stadiumin e ri që do të zëvendësojë impiantin e vjetër Old Trafford. I quajtur “Teatri i ri i Ëndrrave”, objekti pritet të jetë një nga më të mëdhenjtë në botë me një kapacitet prej më shumë se 100 mijë vendeve dhe do të ngrihet shumë pranë strukturës ekzistuese.
Rreth 20 ditë më parë klubi bleu parcelën ku do të ndërtohet stadiumi nga kompania Indurent. Fillimisht plani parashikonte shembjen e impiantit aktual dhe rindërtimin në të njëjtin vend, por përpjekjet për të ndërtuar në të njëjtën zonë u bllokuan për shkak të pranisë së një linje hekurudhore që kalon pas tribunës Sir Bobby Charlton. Për shkak të kësaj ndalesë, drejtuesit e klubit ndryshuan shpejt objektivin dhe zgjodhën një vend tjetër për ndërtimin.
Terreni i ri është rreth 350 metra larg Old Trafford, mes Wharfside Way, Europa Way dhe John Gilbert Way. Ky projekt stadiumi është pjesë e një plani më të gjerë urban, të njohur si Masterplani Wharfside, i cili synon rikualifikimin e zonës përreth. Sipas njoftimeve, masterplani parashikon hapjen e rreth 48 mijë vendeve të punës dhe ndërtimin e 15 mijë banesave të reja, ndërkohë që investimi total i parashikuar vlerësohet në 7.3 miliardë paund. Në paketë është përfshirë edhe përmirësimi i linjave të metrove dhe hekurudhës, element që ka peshë në planifikimin e qasjes dhe lëvizjes rreth stadiumit të ri.
Klubi shpreh optimizëm për të përfunduar ndërtimin brenda vitit 2032, por në vlerësimin më realist parashikohet që të gjitha punimet të përfundojnë brenda vitit 2035, periudhë e lidhur me pritshmëritë kur Anglia do të jetë nikoqire e Kupës së Botës së vajzave.

