Makinat luksoze në kryeqytet janë objekt i kontrolleve të përqendruara nga Policia e Tiranës, me synim verifikimin e origjinës së automjeteve dhe të burimit të pasurisë me të cilën janë blerë. Strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, Forcën “Shqiponja” dhe Policinë Rrugore, kanë kontrolluar dhjetëra automjete luksoze në Tiranë.
Për verifikimin e mjeteve është përdorur një aparaturë e posaçme që kontrollon të dhënat identifikuese të automjeteve. Pas kontrolleve në sistem, për automjetet e evidentuara janë kryer verifikime të mëtejshme lidhur me pronësinë, origjinën dhe historikun e blerjes, shitjes dhe posedimit të tyre. Njëkohësisht janë kryer edhe verifikime mbi burimin e të ardhurave me të cilat janë blerë automjetet, me qëllim evidentimin e rasteve kur pasuria mund të jetë përfituar nga veprimtaria kriminale.
Qëllimet e operacionit përfshijnë evidentimin dhe verifikimin e mjeteve që dyshohet se mund të jenë përfituar nga veprimtaria kriminale, parandalimin e trafikimit të tyre dhe identifikimin e automjeteve që mund të jenë objekt i trafikimit të paligjshëm. Pas përfundimit të verifikimeve, materialet procedurale të grumbulluara janë referuar pranë Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Policia e Tiranës njofton se do të vijojë kontrollet e përbashkëta dhe verifikimet ndaj automjeteve luksoze, në funksion të evidentimit dhe goditjes së pasurive me origjinë kriminale, parandalimit të trafikimit të tyre dhe luftës kundër pastrimit të produkteve që rrjedhin nga veprimtaria kriminale. Operacionet janë zhvilluar në bashkëpunim ndërstruktural, duke kombinuar kontrollin teknik dhe analizën e informacionit për pronësinë dhe burimet financiare që kanë shërbyer për blerjen e këtyre automjeteve.

