Drejtuesit e futbollit evropian po shqyrtojnë mundësinë që presidenti i Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi, të kandidojë për postin e presidentit të FIFA-s në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Lëvizja vjen si pasojë e pakënaqësive ndaj planeve të Gianni Infantinos për të shitur një pjesë të të drejtave komerciale të Kupës së Botës investitorëve privatë. Sipas mediave ndërkombëtare, UEFA do të zhvillojë një mbledhje urgjente me 55 federatat anëtare për të diskutuar një qëndrim të përbashkët ndaj propozimit të FIFA-s; mes opsioneve që pritet të diskutohen përmendet edhe mundësia e një bojkotimi të Kupës së Botës së ardhshme.
Burime të larta të futbollit ndërkombëtar bëjnë me dije se emri i Al-Khelaifit është përmendur si një kandidat serioz për të sfiduar Infantinon, i cili synon një mandat të tretë të plotë në krye të FIFA-s. Al-Khelaifi është president i PSG-së, drejton Shoqatën Evropiane të Klubeve (ECA) dhe është në krye të grupit mediatik beIN Media. Megjithatë, një përfaqësues i tij mohoi zërat për një kandidim, duke deklaruar: “Nasser nuk ka asnjë ambicie, asnjë synim dhe asnjë interes për postin e presidentit të FIFA-s. Ai do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë diskrete institucionet e futbollit botëror dhe evropian”.
Debati ka përqendrim te projekti i ri i FIFA-s për krijimin e kompanisë FIFA Forward Enterprise, e destinuar për menaxhimin e të drejtave komerciale të garave të organizuara nga FIFA, përfshirë të drejtat televizive, sponsorizimet, biletat dhe licencimet. Sipas planit, 20% e kësaj kompanie do t’u shitet investitorëve privatë, duke e vlerësuar biznesin në rreth 20 miliardë dollarë. FIFA argumenton se kapitali i ri do të shërbejë për të rritur investimet në zhvillimin e futbollit global dhe se federatat anëtare do të përfitojnë fonde shtesë nëse miratojnë projektin.
Propozimi ka nxitur reagime të forta në Evropë, ku disa drejtues dhe politikanë shprehin shqetësime për ndikimin e mundshëm të investitorëve privatë në qeverisjen e futbollit botëror. Në qendër të kritikave është përmendur edhe marrëdhënia e ngushtë e Gianni Infantinos me Presidentin amerikan Donald Trump. Burimi: Top Channel.

