Një natë e përgjakshme u regjistrua në Ukrainë, me të paktën 30 të vdekur pas një vale të re bombardimesh masive nga Rusia. Sipas të dhënave, Moska lëshoi 74 raketa dhe 496 dronë, goditi rëndë qendrën e Kievit dhe dëmtoi të paktën 130 ndërtesa. Autoritetet ruse thanë se sulmet u ndërmorën si kundërpërgjigje ndaj goditjeve ukrainase në territorin e tyre, veçanërisht ndaj infrastrukturës energjetike dhe rafinerive; Kievi nga ana e tij ka intensifikuar sulmet në javët e fundit ndaj objektivave strategjike në Rusi, me qëllim të prekjes së “ekonomisë së luftës” së Moskës.
Edhe pse lufta ka hyrë në vitin e pestë, intensiteti nuk po ulet, por shënon përshkallëzim. As Ukraina e as Rusia nuk publikojnë rregullisht të dhëna zyrtare për humbjet ushtarake, duke i konsideruar si informacion strategjik. Një studim i Center for Strategic & International Studies (CSIS) jep një pasqyrë të përmasave të konfliktit: Ukraina ka humbur midis 125.000 dhe 150.000 ushtarë të vrarë nga shkurti 2022 deri në qershor 2026, ndërsa Rusia ka pësuar midis 400.000 dhe 450.000 të vrarë në luftim. Në total, viktimat e luftës (të vrarë, të plagosur dhe të zhdukur) kalojnë 2 milionë persona, ku rreth 1.4 milionë janë ruse.
Në nivel civil, Kombet e Bashkuara raportojnë mbi 16.000 të vrarë dhe më shumë se 46.500 të plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës. Raporti e cilëson numrin e viktimave ushtarake si “shumë të lartë”, duke theksuar se humbjet ruse janë më shumë se katër herë më të mëdha se të gjitha humbjet e SHBA-së në konfliktet pas Luftës së Dytë Botërore.
Sipas analizës së CSIS, ofensiva tokësore ruse ka ngecur ndjeshëm, me përparime minimale në disa zona dhe në raste të tjera humbje territoriale neto. Ekspertët vërejnë se ritmet e përparimit rus janë ndër më të ngadalta në luftërat moderne, duke reflektuar vështirësi serioze ushtarake. Raporti shton se Rusia nuk ka dhënë shenja uljeje të intensitetit të luftës, ndërsa Perëndimi nuk ka ushtruar presion të mjaftueshëm për ndryshim në terren. Analiza thekson gjithashtu se lufta moderne, e dominuar nga dronët dhe teknologjitë e reja, po sjell nivele më të larta viktimash, dhe paralajmëron se konflikti po kthehet në një luftë rraskapitëse me humbje të mëdha njerëzore dhe ekonomike, ndërsa zgjidhja diplomatike mbetet e largët.

