Ylli 19-vjeçar i Barcelonës, Lamine Yamal, është protagonisti i kopertinës së “L’Équipe” dhe në intervistën me Florent Torchut në “Ciutat Esportiva Joan Gamper” foli për ambiciet, “Topin e Artë”, konkurrencën, jetën private dhe presionin mediatik. Ai thotë se luan “për të bërë histori” dhe e sheh Topin e Artë jo thjesht për golat, por si një çmim që shpërblen lojtarin që u jep tifozëve kënaqësi të shohin futboll: “Topi i Artë? Nuk ka të bëjë vetëm me golat”. Si shembuj për mënyrën ideale të lojës përmendi Lionel Messin dhe Ronaldinhon.
Yamal thekson se argumenti i tij më i fortë është mënyra si luan: hyn në fushë për të kënaqur dhe për të ndryshuar lojën, ndërsa suksesi i skuadrës rrit ndikimin individual. Ai vlerëson fitimin e Kupës së Botës me Spanjën si një avantazh në garën për çmimin personal: “Kupa e Botës më jep një plus”. Për rivalët, ai refuzon polemikat dhe fjalët e mëdha, duke vënë theksin te loja: “Të gjithë kemi argumente shumë të forta” dhe përmendi emra si Messi dhe Rodri si kandidatë të respektueshëm.
Rikujtoi vendin e dytë në ceremoninë e fundit të Topit të Artë, kur ishte 18-vjeç dhe u mposht nga Ousmane Dembélé. Ai e konsideroi atë përvojë si arritje dhe jo si zhgënjim, duke ndjerë se e ndihmon për t’u përmirësuar. Për pjesën e jashtme, Yamal u përgjigj ndaj akuzave për arrogancë duke thënë se thjesht shpreh atë që mendon dhe përpiqet të jetë i sinqertë: “Nuk është arrogancë, thjesht them atë që mendoj”. Theksoi se është ende një djalë 19-vjeçar që jeton me familjen dhe të dashurën dhe përpiqet të ketë një jetë normale, duke dalë për shëtitje kur është e mundur dhe duke kaluar kohë me vëllain e vogël.
Për thashethemet dhe mediat, ai tha se shumica janë të pavërteta dhe se me kohën ka mësuar t’i marrë më qetë, duke kujdesur që nëna e tij të jetë e qetë. Për të përballuar presionin, Yamal nënvizoi rëndësinë e izolimit dhe përqendrimit: “Në futboll, çdo 24 orë gjithçka fillon nga e para”, dhe theksoi se përpiqet të qëndrojë i fokusuar, të stërvitet dhe të mendojë për futbollin.

