Louis van Gaal shfaqet në një video promocionale së bashku me këngëtaren holandeze Roxy Dekker, një lëvizje e pazakontë që e vendos ish-trajnerin në një rol publik jashtë fushës së drejtimit. Video është xhiruar në Johan Cruyff Arena, stadiumi i Ajaxit, ku Van Gaal dhe Dekker shfaqen duke bashkëpunuar për një projekt muzikor. 75-vjeçari, i cili u largua nga drejtimi i kombëtares së Holandës në vitin 2022 dhe më pas i nënshtrohej trajtimit për kancer, i mëson këngëtares disa elemente themelore të futbollit.
Roxy Dekker, 21 vjeçe, veshur me fanellën portokalli të kombëtares, përpiqet të ndjekë udhëzimet e tij: vrapon me topin, kontrollon pasimet, bën xhonglime dhe goditje me kokë. Në një moment të videos, Van Gaal i kërkon asaj të luajë me të njëjtin ritëm si futbollistja Sherida Spitse; Dekker pranon se nuk e njeh atë, ndërsa Van Gaal i përgjigjet me humor: “As unë nuk kisha dëgjuar më parë për ty!”
Roxy Dekker përveçse fiton vëmendje nga pjesëmarrja në videon me Van Gaal është edhe këngëtare, autore këngësh dhe krijuese përmbajtjesh në TikTok. Ajo pritet të performojë në Johan Cruyff Arena në prill të vitit të ardhshëm dhe aktualisht po zhvillon një seri prej tri koncertesh në Ziggo Arena, një sallë me kapacitet rreth 17 mijë spektatorë.
Të dy protagonistët janë të lindur në Amsterdam, lidhje që pasqyron edhe pikën e takimit të tyre në stadiumin kryesor të qytetit. Van Gaal ka një histori të gjatë me futbollin holandez dhe veçanërisht me klubin Ajax; gjatë karrierës ai ka kaluar gjithashtu në pankinat e Barcelonës, Bayern Munichut dhe Manchester United dhe ka fituar shtatë tituj kampionati. Si selektor, ai udhëhoqi kombëtaren e Holandës deri në gjysmëfinalen e Kupës së Botës në vitin 2014.

