Kryetarja e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, iu dorëzua autoriteteve shqiptare mbrëmjen e së martës në pikën kufitare Vërmicë/Morinë, pasi sipas Top Channel ishte brenda territorit të Kosovës. SPAK ka caktuar ndaj saj masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra, në kuadër të hetimeve për veprat penale “përkrahje të autorit të krimit” dhe “nxjerrje të sekretit hetimor”. Ekzekutimi i masës nuk ishte i mundur më parë, pasi Hyseni ndodhej në një vizitë pune në Baku të Azerbajxhanit, ku po merrte pjesë në një konferencë me drejtues të shërbimeve informative.
Po për të njëjtën çështje, SPAK ka kryer kontroll personal dhe në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, nga dyshimi se atje mund të gjendeshin prova me interes për hetimin. Pas kontrollit, agjentët e BKH shoqëruan Prodën drejt SPAK, ku ai u pyet për rreth tri orë. Ilir Proda ishte Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit deri në mars 2026, kur u shkarkua pas incidenteve të ndodhura gjatë protestave.
SPAK ka vendosur masa sigurie edhe ndaj personave të tjerë dhe ka zhvilluar kontrolle në disa banesa dhe zyra. Mes të ndaluarve janë Fatjon Kalluçi, me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin e Policisë Shkencore, i akuzuar për zbulim të akteve ose të dhënave sekrete, dhe Embro Sulejmani, pronar biznesi në zonën e Durrësit, i ndaluar për veprën “përkrahje e autorit të krimit”. Në njoftimin zyrtar SPAK sqaron se personat ndaj të cilëve janë vendosur masa sigurie prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretojë shkarkimin e Vlora Hyseni nga detyra e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, me bazë në nenin 93 të Kushtetutës dhe ligjin për SHISH, me propozim të Kryeministrit. Kryeministri Edi Rama reagoi me një postim në “X”, ku paralajmëroi shkarkim të menjëhershëm dhe njoftoi se kur Hyseni të kthehet në Tiranë do të vendoset për kreun e ri të SHISH.

