Ka nisur grumbullimi i protestuesve para sheshit Skënderbej, nga ku do të marshojnë drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit dhe do të ndalen para Kryeministrisë. Kjo është dita e 10-të radhazi e protestës qytetare, e cila nisi kundër investimit dhe projektit që pritet të ndërtohet në Zvërnec.
Fjalimin kryesor sot e mbajti aktivisti Alben Kola, i cili kërkoi durim dhe paralajmëroi se beteja do të zgjasë disa ditë. Ai bëri thirrje që në mërgatë të organizohen charter-a dhe përmendi se shumë njerëz po vijnë nga Gjermania. “Organizatorë janë 100 mijë shqiptarët këtu dhe 6 milionë në diasporë,” tha Kola, duke kundërshtuar sloganin e thjeshtë “Rama ik” dhe sugjeruar në vend të tij “Rama burg, Berisha burg”. Ai gjithashtu deklaroi se “kush do udhëheqë Shqipërinë e re?” dhe se “kemi 1000 pedagogë jashtë që janë gati të kthehen”.
Një tjetër protestues që foli nga podiumi para Kryeministrisë bëri thirrje për një protestë kombëtare nesër dhe i ftoi të gjithë të vijnë në Tiranë. Gjatë tërë tubimit dëgjohej thirrja “Rama n’burg, Berisha n’burg” si dhe “nesër më shumë”.
Protestuesit kanë parashtruar pesë kërkesa konkrete: dorëheqjen e qeverisë; shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë; shfuqizimin e Paketës së Maleve; anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura; dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.
Tubimi vijon me marshimin e paracaktuar dhe me fjalime nga aktivistë të ndryshëm, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit theksojnë nevojën për vijimësi dhe mobilizim të diasporës. Top Channel.

