Protesta qytetare në Tiranë u mbajt për të 24-ën ditë. Grumbullimi i qytetarëve nisi në sheshin “Skënderbej” dhe më pas protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë, ku u zhvilluan thirrje dhe fjalime që përfshinin kërkesën për dorëheqjen e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike me mandat jo më pak se 12 muaj. Organizatorët njoftuan se diaspora do të bashkohet në protestë më 4 Korrik.
Para Kryeministrisë u lexuan kërkesat e plota të protestuesve, të cilat përfshijnë, së pari, dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit dhe të qeverisë. Kërkohet krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor. Mes kërkesave të tjera janë ndryshime kushtetuese që synojnë barazinë e të gjithë shtetasve shqiptarë para ligjit dhe miratimin e ndryshimeve me referendum popullor.
Si pjesë e ndryshimeve të propozuara përfshihen ndër të tjera ndryshimi i Kodit Zgjedhor dhe ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme. Një tjetër kërkesë specifike parashikon kufizimin e ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
Paralelisht, protestuesit kërkojnë anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura” dhe anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”. Ata kërkojnë gjithashtu shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve” dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.
Si pjesë të një procesi më të gjerë institucional, protestuesit propozojnë që një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.

