Persona me kapuça të zinj dhe syze prishën qetësinë e protestës qytetare në ditën e saj të 15-të, ndërsa tensionet nisën kur u përhapën zëra se qytetarëve po u kërkoheshin kartat e identitetit për firmosjen e një peticioni. Organizatorët thanë se një gjë e tillë ishte provokim.
Protesta vijoi me thirrjet për dorëheqjen e qeverisë Rama dhe për krijimin e një qeverie tranzitore. Qytetarët shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj klasës politike të 35 viteve me pankarta ironike dhe humor, ndërsa në podiumin e ngritur para Kryeministrisë mbajtën fjalime për kërkesat e tyre.
Largimin e deputetes së Shkodrës, Marjana Koçeku, nga grupi parlamentar i socialistëve, protestuesit e cilësuan fitore të tyre. Në mes të tubimit u përhap lajmi për dorëheqjen e saj nga PS dhe vendimin për t’u bërë deputete e pavarur, dhe një prej protestuesve u shpreh: “Sapo erdhi një lajm që tregon se sa e madhe është kjo protestë. Një nga gurët e shahut sapo ka rënë, një deputete ka dhënë dorëheqjen nga PS. Deputetja e Shkodrës Marjana Koçeku sapo ka thënë jam deputete e pavarur. Ju erdhi fundi. Kjo na tregon se ne duhet të qëndrojmë në shesh, ato do të bien një nga një si gurë dominoje.”
Tubimit iu bashkuan edhe banorë të Durrësit që kundërshtojnë projektin TID, duke zgjeruar spektrin e pjesëmarrësve dhe çështjet e ngritura në protestë. Pas fjalimeve, qytetarët marshuan në rrugët e kryeqytetit, duke vijuar me kërkesat dhe ritmin e organizimit të protestës në ditën e 15-të.

