Në ditën e 28-të të protestës, qytetarët u mblodhën sërish në sheshin “Skënderbej” dhe, me pankarta për dorëheqjen e qeverisë, marshuan drejt Kryeministrisë ku mbajtën fjalimet dhe thirrjet kundër klasës politike. E sotmja u konsiderua si protestë kombëtare, me pritshmëri për praninë e diasporës dhe njoftime për pjesëmarrjen e disa eurodeputetëve. Pas rreth dy orësh qëndrimi në shesh, u paralajmëruan marshime në rrugët e Tiranës, veprime për të cilat në ditët e shkuara janë proceduar dhjetëra protestues.
Protestuesit i kanë bërë publike prej ditësh një seri kërkesash: dorëheqjen e qeverisë aktuale, krijimin e një qeverie teknike dhe anulimin e disa ligjeve që, sipas tyre, dëmtojnë interesat kombëtare dhe ndikojnë negativisht në mjedis. Nga foltorja e improvizuar një protestues njoftoi edhe hapin e radhës për krijimin e një Kuvendi Kombëtar. Ai tha se janë mbledhur rreth 500 kandidatë potencialë, nga të cilët në fund do të zgjidhen 300 dhe të gjithë do të dalin para popullit, duke premtuar se asnjë nuk do të vetëzgjidhet apo të përcaktohet nga një grup i vogël: “Kam folur për ngritjen e një kuvendi kombëtar, i jemi futur punës për ta bërë këtë. Janë mbledhur rreth 500 kandidatë potencialë. Në fund do të zgjidhen 300 vetë dhe të gjithë do të dalin këtu para popullit. Asnjë nuk do të vetëzgjidhet apo që do të dalë nga një grup i vogël”.
Në protestë ishte e pranishme edhe eurodeputetja italiane Ilaria Salis, e cila mbajti një fjalim para Kryeministrisë. Ajo u shpreh se “Europa nuk është në Bruksel, por këtu”, dhe theksoi nevojën për mbrojtjen e Ishullit të Sazanit dhe Nartës për brezat e ardhshëm, kundërshtimin e projekteve që sipas saj bazohen në korrupsion dhe përmbrojtjen e natyrës përpara interesave financiare. Në fjalimin e saj përmendi edhe se “Shqipëria nuk është në shitje” dhe përmbylli me thirrjen: “Rroftë Revolucioni i Flamingove dhe rroftë Shqipëria”.

