Në kryeqytet po zhvillohet dita e 26-të e protestës qytetare. Qytetarët nisën marshimin e zakonshëm në rrugët e kryeqytetit me thirrjen “Nesër më shumë”. Ata ndaluan para Parlamentit, ku u ulën këmbëkryq në mes të rrugës duke brohoritur “Shqipëria kërkon revolucion”. Protestuesit u grumbulluan në sheshin “Skënderbej”, vazhduan marshimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe u stacionuan para Kryeministrisë, aty ku mbajtën edhe fjalime.
Disa pjesëmarrës propozuan që protestat të shtrihen edhe gjatë paradites, një propozim që ende nuk është konfirmuar. Gjatë fjalimeve u përsëritën pesë kërkesat kryesore të lëvizjes.
Kërkesat:
1) Dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit dhe të qeverisë.
2) Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
3) Ndryshime kushtetuese që sigurojnë barazi të të gjithë shtetasve shqiptarë para ligjit dhe miratimin e tyre me referendum popullor. Ndër ndryshimet e përmendura përfshihen: ndryshimi i Kodit Zgjedhor; ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme; dhe kufizimi i ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4) Paralelisht kërkohet: anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”; anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”; shfuqizimi i paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”; dhe shfuqizimi i statusit dhe i kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.
5) Përpilimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të bëhet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.
Protesta vijon me marshime dhe fjalime publike, teksa pjesëmarrësit mbajnë të njëjtat kërkesa dhe nxisin vazhdimësinë e mobilizimit.

