Nga makaronat, vaji e sheqeri, te frutat, perimet e detergjentët: disa nga bizneset më të mëdha të produkteve bazë do të raportojnë çmimet muaj pas muaji, duke filluar nga shtatori. Këto produkte do të vihen nën monitorim përmes platformës së re PriceWatch Albania, ose Pasqyrë Albania, që do të ngrejë Ministria e Ekonomisë, me qëllim shmangien e abuzimeve nga bizneset.
Ministrja e ekonomisë Delinda Ibrahimaj shpjegon në Top Channel se platforma do të bëjë transparente çmimet e disa shitësve, në mënyrë që qytetari të informohet se ku një produkt është më i lirë, dhe do të shërbejë për analizimin e marzheve të fitimit dhe të gjithë zinxhirit të vlerës. “Qëllimi është analizimi i marzheve të fitimit dhe gjithë zinxhirit të vlerës. Nga fermeri deri te tregu konsumatorit ka disa hallka dhe ne duhet të kuptojmë kush është hallka që çon në shumëfishim të çmimit,” tha ministrja.
Një vendim i Këshillit të Ministrave (VKM) pritet të përcaktojë mënyrën e funksionimit të platformës, listën e produkteve në monitorim dhe bizneset që do të vihen nën vëzhgim. Ministrja thekson se raportimi do të jetë i detyrueshëm për disa kompani: “Kompanitë të detyruara, jo vullnetare. Vullneti i mirë zgjat një muaj apo dy dhe ndodh çrregullim. Do kemi një VKM që do të thotë se cilat do të jenë bizneset dhe shpejtësia që do të raportojnë.”
Teksa platforma mund të tregojë ku një produkt shitet më lirë, suksesi i saj varet nga veprimet që do të ndiqen pasi të identifikohet hallka ku çmimi rritet. E pyetur nëse pas gjashtë muajsh qytetari do të paguajë të njëjtat çmime, ministrja nuk vendos një objektiv konkret për uljen e çmimeve: “Nuk shprehem dot sot nëse qytetari do paguajë të njëjtat çmime… por garantoj që do kemi informacionin 360 gradë dhe do të dimë arsyet e rritjes së çmimeve dhe brenda mundësive tona të ndikojmë në këtë treg.”
Platforma do të nisë fillimisht me një numër të kufizuar produktesh dhe rrjete supermarketesh dhe pritet të zgjerohet më tej. Objektivi i parë është të evidentojë ku dhe pse ndryshon çmimi; efekti në faturën e familjeve mbetet për t’u vërtetuar.

