Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka hartuar projektligjin e parë shqiptar “Për Inteligjencën Artificiale”, me qëllim vendosjen e rregullave të qarta për përdorimin e teknologjive IA në vend. Drafti parashikon klasifikimin e sistemeve sipas nivelit të rrezikut, detyrime për kompanitë që i ofrojnë ose i përdorin ato, si dhe krijimin e ambienteve testuese për nxjerrjen e inovacioneve teknologjike.
Në relacion theksohet se mungesa e një kuadri ligjor të dedikuar krijon pasiguri juridike për operatorët ekonomikë dhe institucionet publike, mungesë standardesh për sigurinë dhe transparencën e sistemeve IA, si dhe rrezik për cenimin e të drejtave themelore dhe të dhënave personale. Projektligji synon të trajtojë këto boshllëqe duke vendosur kërkesa specifike për sistemet e bazuara në inteligjencë artificiale.
Sa i përket tranzicionit, drafti përcakton se sistemet e IA që janë vënë në treg ose në shërbim para hyrjes në fuqi të ligjit mund të vazhdojnë të përdoren, por duhet të përputhen me kërkesat e tij brenda një periudhe tranzitore 24-mujore. Për sistemet me rrezik të lartë, ofruesit dhe përdoruesit kanë afat 12 muaj për t’i përshtatur me kërkesat ligjore.
AKSHI radhit efektet e pritshme të projektligjit: rritjen e sigurisë juridike dhe teknike në përdorimin e IA-së, mbrojtjen më efektive të qytetarëve dhe konsumatorëve, harmonizimin me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe nxitjen e inovacionit dhe investimeve në teknologji. Si autoritet koordinues dhe zbatues parashikohet AKSHI.
Për shkelësit e ligjit parashikohen gjoba që nisnin nga 3% e xhiros vjetore dhe arrijnë deri në 150 milionë lekë. Synimi kryesor i projektligjit është përafrimi me rregullat e Bashkimit Evropian, duke vendosur një kornizë rregullatore kombëtare për zhvillimin dhe përdorimin e teknologjive të inteligjencës artificiale.

