Qeveria ka ndërmarrë dy hapa të dukshëm në të njëjtën kohë: nga njëra anë është ashpërsuar ligji për tubimet duke vendosur gjoba përmes paketës antidhunë, dhe nga ana tjetër Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë për konsultim publik një draftligj që synon mbrojtjen e pjesëmarrjes publike ndaj padive të pabazuara dhe procedurave gjyqësore abuzive. Nisma vjen si pjesë e angazhimeve për përafrim me legjislacionin europian dhe synon të forcojë pjesëmarrjen qytetare, duke parandaluar përdorimin e gjykatave për të ushtruar presion ose për të heshtur zërat kritikë.
Përkufizimi i pjesëmarrjes publike në këtë projektligj është i gjerë dhe përfshin jo vetëm aktorët tradicionalë të medias, por edhe aktivistë, studiues, akademikë dhe qytetarë që protestojnë. Çështjet me interes publik që mbulohen përfshijnë të drejtat themelore të njeriut, shëndetin publik, sigurinë, mjedisin dhe klimën, procese të institucioneve shtetërore, korrupsionin, mashtrimin, veprat penale ose shkeljet administrative, si dhe mbrojtjen e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër dezinformimit.
Drafti parashikon një sërë mekanizmash për të kundërshtuar paditë e qarta abuzive. Midis masave janë mundësia e rrëzimit të hershëm të padive, ngarkimi me shpenzimet gjyqësore të palës që ka përdorur padinë në mënyrë abuzive, dhe shpërblimi i dëmit për subjektet e paditura. Për të parandaluar përsëritjen e sjelljeve abuzive, propozimi parashikon gjithashtu vendosjen e një gjobe ndaj paditësit, nga 50 000 deri në 300 000 lekë, duke marrë parasysh natyrën dhe pasojat e shkeljes.
Nisma thekson se ndikimi kufizues i padive abuzive mund të materializohet pavarësisht rezultatit përfundimtar të procesit gjyqësor: vetë detyrimi për t’u përballur me një proces të gjatë, kompleks dhe të kushtueshëm, si dhe pasojat në reputacion, mund të krijojnë efekt frikësues jo vetëm ndaj të paditurit, por edhe ndaj të tjerëve që mund të angazhohen në diskutime publike. Në këtë kontekst, gjoba vlerësohet jo vetëm si masë ndëshkuese, por edhe si mjet parandalues dhe dekurajues kundër përdorimit të sistemit gjyqësor për presion ndaj pjesëmarrjes publike.

