Një moment emocional dhe i papritur ndodhi në Parlamentin e New South Wales në Australi, kur deputeti liberal Jordan Lane i propozuar për martesë partneres së tij prej më shumë se 10 vitesh, Natalie, gjatë fjalimit të tij të lamtumirës nga politika. Lane, deputet i zonës së Ryde, kishte njoftuar disa ditë më parë se nuk do të rikandidonte në zgjedhjet shtetërore të marsit; lajmin e përhapën mediat australiane.
Gjatë fjalimit të së enjtes në Parlament, ai surprizoi partneren që ishte e pranishme në sallë. “Zoti kryetar, pyetja ime e fundit si deputet i Ryde është për dashurinë e jetës sime, Natalie. A do të martohesh me mua?”, tha ai duke nxjerrë unazën. Propozimi u prit me brohoritje dhe duartrokitje nga të pranishmit. Lane iu afrua partneres, i vendosi unazën në gisht dhe e puthi. Pas përgjigjes së saj pozitive, ai kërkoi që të shënohej në procesverbalin parlamentar: “Dëshiroj të shënohet në procesverbalin parlamentar se ajo tha ‘PO’”, deklaroi, duke shkaktuar të qeshura dhe duartrokitje në sallë.
Kryetari i Parlamentit, Greg Piper, iu bashkua atmosferës festive dhe me humor tha se Parlamenti i 58-të do të mbahet mend si “Parlamenti i Dashurisë”. Në fjalimin e tij të lamtumirës, Lane foli edhe për arsyet e vendimit për të mos rikandiduar, duke e përshkruar atë si një hap të rëndësishëm personal. “Sot po bëj një hap të madh. Por pjesa më e vështirë nuk është ta ndërmarrësh këtë hap, por ta shpjegosh atë. Si mund ta shprehësh me mendje diçka që mund të ndihet vetëm me zemër?”, u shpreh ai.
Jordan Lane kishte paralajmëruar më parë për largimin nga politika përmes rrjeteve sociale dhe fjalimi i tij i fundit në Parlament u shndërrua në një moment personal dhe publik që mori vëmendjen e kolegëve dhe mediave.
