U përcoll sot në banesën e fundit mes nderimeve nga familjarë, akademikë dhe artistë “Mjeshtri i Madh” Birçe Hasko. Aktori i dhjetëra roleve dhe karaktereve të veçantë do të prehet në vendlindje, në Dukat të Vlorës. Kolegë e aktorë të Haskos shprehën mirënjohje për kontributin e tij në kinematografinë shqiptare, shpesh me emocione dhe lot.
Timo Flloko e vlerësoi atë “si një mik dhe koleg të paharruar, me një integritet të lartë qytetar e njerëzor, duke theksuar se karakteret e tij në kinematografi do të jenë të vështira për t’u zëvendësuar”. Kiço Londo tha se arti shqiptar humbi “një emblemë” dhe kujtoi se përtej teknikës së aktrimit, Hasko u mësoi studentëve njerëzoren. Mevlan Shanaj shtoi se Hasko e bëri karakterin e tij “popullor” të pavdekshëm, duke gërshetuar humorin spontan me rreptësinë dhe mjeshtërinë e interpretimit.
Me ndarjen nga jeta, skena shqiptare humbi një artist të rrallë, ndërsa publiku një figurë të dashur; me dhjetëra role dhe interpretimin e tij ai do të mbetet në memorien e artit shqiptar. Ndër interpretimet e tij më të spikatura përmenden roli i Milos te “Shi në plazh” si dhe rolet në filmat “Radiostacioni”, “Njeriu me top”, “Koncert në vitin 1936” dhe “Përrallë nga e kaluara”.
Për kontributin e tij, Hasko mbante titujt “Artist i Merituar”, “Profesor” dhe “Mjeshtër i Madh”. Ndërhyrjet e kolegëve gjatë ceremonisë reflektonin mirënjohjen për karrierën e tij dhe ndikimin që kishte mbi brezat e aktorëve dhe studentëve të aktrimit. Ceremonia e varrimit dhe nderimet në vendlindje shënuan përkujtimin e figurës së tij në kulturën dhe kinematografinë shqiptare.
Top Channel

