Bordi i Transparencës, në mbledhjen e datës 17 qershor 2026, vendosi kufizime të çmimeve për nënproduktet e naftës. Çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoil të standardit SSH EN 590 është vendosur deri në 176 lekë/litër, ndërsa çmimi maksimal i shitjes me shumicë bëhet 164 lekë/litër. Për benzinën e standardit SSH EN çmimi maksimal i shitjes me pakicë është 166 lekë/litër dhe çmimi maksimal i shitjes me shumicë 154 lekë/litër. Vendimi hyn në fuqi më 17 qershor, ora 13:00, dhe do të mbetet i vlefshëm deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, kur do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Bordi tërheq vëmendjen e operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të këtij vendimi, dhe paralajmëron se në rast shkeljesh të konstatuara do të vendoset pezullimi i aktivitetit të operatorëve të ndryshëm. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe për ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
Sqarim zyrtar lidhur me aplikimin e akcizës: Sipas Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazoil është më i lartë se 220 lekë/litër, ose për benzinën më i lartë se 200 lekë/litër, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në metodologjinë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet e vendosura nga Bordi janë nën kufijtë e parashikuar nga akti normativ, dhe për rrjedhojë zbatohet niveli i plotë i akcizës, 100%.
Për gazoilin e destinuar për peshkim, sipas Ligjit nr. 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat Kombëtare” dhe Ligjit 61/2012 “Për akcizat”, anijet e peshkimit përjashtohen nga taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe nga detyrimet e akcizës, në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara me VKM. Referuar metodologjisë së aktit normativ, çmimi i shitjes së gazolit për peshkim rezulton 81 lekë/litër. Top Channel.

