Bordi i Transparencës, në mbledhjen e datës 10 Qershor 2026, vendosi kufizime të çmimeve për nënproduktet e karburantit. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil, standard SSH EN 590, u përcaktua të jetë jo më shumë se 188 lekë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 176 lekë/litër. Për nënproduktin benzinë, standard SSH EN, çmimi i shitjes me pakicë u vendos jo më shumë se 171 lekë/litër dhe çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 159 lekë/litër. Çmimet e vendosura hyjnë në fuqi më datë 10 Qershor 2026, ora 14:00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Bordi tërheq vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës për detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorët, do të vendoset pezullimi i aktivitetit. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
Sqarim: Referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, që shton në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, përcaktohet se në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazoil është më i lartë se 220 lekë/litër, apo për benzinën më i lartë se 200 lekë/litër, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në metodologjinë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet e vendosura janë nën këto kufij, dhe për rrjedhojë zbatohet niveli i plotë i akcizës, 100%.
Për gazoilin e përdorur në peshkim, referuar Ligjit 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat Kombëtare” (neni 9, pika 6) dhe dispozitave të ligjit 61/2012 (neni 10, pika 3, germa “d”), parashikohet përjashtimi nga pagimi i disa taksave për anijet e peshkimit sipas kushteve të VKM. Sipas metodologjisë së përcaktuar në aktin normativ, çmimi i shitjes së gazolit për peshkim rezulton 92 lekë.

