Bordi i Transparencës, në mbledhjen e datës 7 maj 2026, vendosi kufizime të çmimeve për nënproduktet e naftës. Për nënproduktin gazoil të standardit SSH EN 590, çmimi maksimal i shitjes me pakicë u vendos të jetë jo më shumë se 196 lekë/li, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 184 lekë/li. Për nënproduktin benzinë të standardit SSH EN, çmimi maksimal i shitjes me pakicë u vendos të jetë jo më shumë se 180 lekë/li, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 168 lekë/li.
Çmimet e përcaktuara nga Bordi hyjnë në fuqi më 7 maj në orën 12:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, në të cilën do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Bordi tërheq vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës për detyrimin e zbatimit të këtij vendimi dhe njofton se në rast të shkeljeve të konstatuara do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
Sqarim lidhur me taksimin: Sipas Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin është më i lartë se 220 lekë/litri, ose për benzinën më i lartë se 200 lekë/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet e vendosura nga Bordi janë nën kufirin e përcaktuar në Aktin Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.

