Kombëtarja e Anglisë ka marrë një lajm pozitiv në prag të gjysmëfinales së Kupës së Botës ndaj Argjentinës: mesfushori Declan Rice ka treguar përmirësim të ndjeshëm në gjendjen fizike dhe pritet të jetë titullar në sfidën e madhe. Rice, i cili u zëvendësua në pushimin e ndeshjes çerekfinale ndaj Norvegjisë — të fituar 2-1 pas kohës shtesë — kishte luajtur i kushtëzuar nga disa shqetësime fizike që e kishin shoqëruar gjatë ditëve të fundit. Nga grumbullimi i Anglisë në Kansas City raportohen se mesfushori i Arsenalit është stërvitur mirë në orët e fundit, duke rritur shpresat se trajneri Thomas Tuchel do t’i besojë një vend në formacionin titullar për përballjen me Lionel Messin dhe shokët e tij.
Një tjetër çështje e hapur mbetet aktivizimi i mbrojtësit Ezri Konsa, i cili u detyrua të largohej nga fusha në ndeshjen ndaj Norvegjisë për shkak të ngërçeve, dhe për momentin mbeten pikëpyetje rreth gjendjes së tij për gjysmëfinalen. Trajneri Tuchel, përveç vendimeve për elementët e mbrojtjes, po vlerëson edhe mundësinë për ta nisur nga minuta e parë Bukayo Sakën. Sulmuesi i Arsenalit u shfaq si një nga lojtarët më të spikatur në çerekfinale, pasi hyri nga stoli dhe dha një ndikim të menjëhershëm në lojën e “Tre Luanëve”.
Gjysmëfinalja mes Anglisë dhe Argjentinës do të zhvillohet mbrëmjen e së mërkurës në Atlanta dhe pritet të jetë një nga sfidat më spektakolare të këtij Botërori. Në prag të këtij takimi të rëndësishëm, skuadra angleze po monitoron me kujdes gjendjen e lojtarëve kyç, duke aplikuar vendimet taktike e mjekësore në përpjekje për të pasur në fushë formacionin më të fortë të mundshëm. Për momentin, lajmi kryesor për tifozët dhe stafin është stabilizimi i Declan Rice dhe mundësia që ai të nisë si titullar kundër Argjentinës, ndërsa mbeten vëzhgime për Konsan dhe vendimmarrje finale për Sakën.

