Gjykata Kushtetuese vendosi të mos çojë në seancë ankimin e ish-zëvendësministres Rovena Voda, e cila pretendonte ndër të tjera se një deklaratë e ish-kryeprokurorit të SPAK kishte shkelur prezumimin e pafajësisë. Voda ishte përfshirë në hetimet e Prokurorisë së Posaçme pasi u ekspozua në bisedat e dy të pandehurave, Majlinda Hasani dhe Florinda Beu, që synonin të punësoheshin me ndërhyrjen e saj. SPAK i ngarkoi asaj akuza për korrupsion lidhur me një arkë peshk, një telefon dhe një mijë euro.
Që nga 2021, kur u arrestua për këto dyshime, dhe pasi vuajtjen e dënimit me një vit burg e vuajti me masën e arrestit shtëpiak, Voda ka insisituar se është paragjykuar. Në ankimin kushtetues ajo argumentoi se, ndërsa ishte ende në gjykim pranë Apelit të Posaçëm, ish-kreu i SPAK, Altin Dumani, kishte deklaruar për mediat që e konsideronte dënimin e saj të përfunduar, gjë që sipas saj kishte ndikuar te gjyqësori, pasi deklarata u dha kur ajo nuk ishte ende e dënuar. Gjykata e ka ndaluar ish-zyrtaren të mbajë funksione publike për pesë vjet; Voda nuk pranoi në procesin e Gjykatës së Krimeve të Rënda (GJKKO) akuzën për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
Në ankimin individual para Kushtetueses, Voda pretendoi gjithashtu se ishte dënuar pa prova, duke u bazuar vetëm në thashetheme që përmenden në përgjimet e dy të pandehurave të tjera. Kushtetuesja thekson se çështjet e provave janë kompetencë e gjykatave të shkallëve të ulëta dhe nuk pranoi pretendimin se i është shkelur prezumimi i pafajësisë. Sipas vendimit të Kushtetueses, dënimi i Vodës është vlerësuar mbi bazën e provave dhe jo në bazë të deklaratave të ish-drejtorit të Prokurorisë së Posaçme, teksa fajësia është konsideruar e përcaktuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm dhe e arsyetuar në vendim.
Duke çmuar çështjen të ezauruar, Kushtetuesja vendosi të mos trajtojë ankimin individual në seancë plenare.

