Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e 39 deputetëve të opozitës për shfuqizimin e pjesëve të dy dekreteve presidenciale që lidhen me ngritjen dhe funksionimin e ministres virtuale të inteligjencës artificiale “Diella”. Vendimi u mor më 8 tetor 2026 dhe u shpall më 9 nëntor. Gjykata arsyetoi se dispozitat e kundërshtuara “nuk kanë karakter normativ” dhe se kërkuesit nuk legjitimohen për të ngritur një mosmarrëveshje kompetencash, ndaj nuk shqyrtoi në themel pretendimet për papajtueshmërinë e dekreteve me Kushtetutën.
Kërkesa ishte paraqitur nga 39 deputetë, të përfaqësuar nga kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, dhe avokati Marash Logu. Ata kundërshtuan nenin 2 të dekretit nr. 331, datë 12 shtator 2025, për emërimin e Kryeministrit, si dhe një pjesë të dekretit nr. 333, datë 15 shtator 2025, për emërimin e Këshillit të Ministrave. Të dy dekrete përcaktonin se Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e ministres virtuale “Diella”. Deputetët pretenduan se Presidenti kishte tejkaluar kompetencat kushtetuese duke krijuar një strukturë të re ministrore dhe duke i ngarkuar Kryeministrit përgjegjësi të reja.
Në arsyetimin e saj, Gjykata konstatoi se dispozitat e kundërshtuara “nuk përbëjnë bazë të mjaftueshme juridike për krijimin e kompetencave apo strukturave të reja” dhe sqaroi se “Veprimet ose aktet e mëtejshme duhet të gjejnë mbështetjen e tyre në burimin juridik të kompetencës së organit që i ndërmerr” (par. 29). Gjykata vërejti gjithashtu se nga përmbajtja e dekreteve nuk rezulton që “Diella” të jetë emëruar anëtare e Këshillit të Ministrave (par. 41), duke e cilësuar atë një platformë të inteligjencës artificiale dhe jo një person fizik me zotësi juridike apo me karakteristikat e një ministrie (par. 43).
Gjykata trajtoi kufijtë e përdorimit të inteligjencës artificiale në pushtetin publik, duke theksuar se “Përdorimi i inteligjencës artificiale nuk mund të ndryshojë rendin kushtetues dhe ligjor të ushtrimit të kompetencave publike, të përgjegjësisë dhe të llogaridhënies” (par. 16). Përgjegjësia institucionale dhe llogaridhënia mbeten te organi ose funksionari që ligji ia njeh ato. Përfundimisht, Gjykata arsyetoi se çështja nuk hy në kompetencën e saj për kontrollin e akteve normative ose për verifikimin e emërimeve dhe se deputetët nuk ishin të legjitimuar për të inicuar konflikt kompetencash; “nuk ka vend për shqyrtimin në themel të pretendimeve të kërkuesit” (par. 45).
Vendimi u mor me shumicë; dy gjyqtarë, Marsida Xhaferllari dhe Asim Vokshi, dolën në pakicë, duke kërkuar shqyrtim në themel dhe konsideruar se dispozitat bien ndesh me Kushtetutën. Sipas tyre, një sistem i inteligjencës artificiale nuk mund të ushtrojë funksionin kushtetues të ministirit, dhe paraqitja e “Diellës” si ministre nuk mund të trajtohet thjesht si një çështje imazhi. Vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.
